Një grup prej 46 intelektualësh, akademikësh, profesionistësh, artistësh dhe qytetarësh kanë reaguar përmes një letre publike lidhur me krizën institucionale në vend, duke kërkuar formimin e institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues.

Letra është bërë publike nga ish-deputeti Ilir Deda, ndërsa nënshkruesit shprehin shqetësimin për vazhdimin e ngërçit politik dhe rrezikun që, sipas tyre, ai të dëmtojë funksionimin e shtetit, demokracinë dhe rendin kushtetues.

“Republika nuk mund të mbahet peng”, thuhet në titullin e letrës, përmes së cilës kërkohet që deputetët e certifikuar dhe të betuar të ndërmarrin me urgjencë veprimet e tyre kushtetuese, në mënyrë që procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera të përfundojë pa vonesa.

Reklamë

Nënshkruesit theksojnë se Gjykata Kushtetuese, sipas tyre, i ka qartësuar detyrimet e deputetëve lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe kanë kërkuar që askush të mos lejohet ta bllokojë këtë proces.

Ata kanë paralajmëruar se vazhdimi i paralizës institucionale mund të krijojë precedentë të dëmshëm dhe pasoja afatgjata për funksionimin e institucioneve, rendin kushtetues, stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Në letër u bëhet thirrje edhe partive politike dhe institucioneve përgjegjëse që të heqin dorë nga ultimatumet, përjashtimi politik dhe logjika e imponimit, duke mos vendosur interesat partiake, grupore apo elektorale mbi interesin shtetëror.

Po ashtu, akademikët, shoqëria civile, mediat, profesionistët dhe qytetarët ftohen të mos qëndrojnë indiferentë ndaj, siç thuhet në letër, “degradimit të kulturës demokratike e kushtetuese” dhe normalizimit të bllokadës institucionale.

Nënshkruesit kërkojnë një debat publik racional dhe konstruktiv, ndërsa bëjnë thirrje për refuzimin e fushatave denigruese, gjuhës së urrejtjes, linçimit publik dhe diskursit përçarës.

Reklamë

Në pikën e fundit të apelit, kërkohet që institucionet dhe liderët politikë t’i rikthejnë në qendër të veprimit shtetëror interesat strategjike dhe afatgjata të Kosovës, duke veçuar integrimin euroatlantik, forcimin e aleancave me partnerët strategjikë dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetit.

“Integrimi euroatlantik, forcimi i aleancave me partnerët strategjikë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetit dhe trajtimi me dinjitet i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetet jo-shumicë, duhet të trajtohen si interesa madhore kombëtare, përtej ndarjeve partiake”, thuhet në letër.

Apeli përfundon me mesazhin: “Kosova nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara!”

Letra është nënshkruar më 12 gusht 2026 nga 46 persona, në mesin e tyre ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ish-ambasadorë, profesorë universitarë, ekonomistë, juristë, politologë, përfaqësues të shoqërisë civile, artistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Reklamë

Në mesin e nënshkruesve janë Arta Rama, Enver Hasani, Gresa Caka, Valdete Daka, Ilir Deda, Ismet Kryeziu, Lulzim Peci, Muhamedin Kullashi, Robert Muharremi, Shkelzen Maliqi, Vjosa Dobruna dhe emra të tjerë nga fusha e akademisë, drejtësisë, ekonomisë, politikës dhe shoqërisë civile.