Propozimi i ZRRE-së: Rikthehen bllok-tarifat e energjisë, konsumatorët që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Kurse konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovat me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 euro apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani. Kurse, konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovat dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 euro.

Ky propozim i Zyrës së Rregullatorit është bërë në shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave që ka filluar në muajin dhjetor pas kërkesave që janë parashtruar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).

KESCO kishte propozuar që tarifat e energjisë të dyfishohen, mirëpo rritja është neutralizuar pasi ZRRE-ja nuk i ka pranuar disa prej kërkesave të KESCO-së si dhe zotimit të qeverisë së Kosovës për të subvencionuar një pjesë të importit të energjisë.

Ministria e Ekonomisë është zotuar se do të ndajë 75 milionë euro për të zbutur ndikimin e kizës energjetike në tarifat e energjisë elektrike. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike.

Kështu, nëse të hyrat shtesë që duhet të mbulohen nga rritja e tarifave janë 132.7 milionë dhe Qeveria zotohet se do të mbulojë 75 milionë, kjo nënkupton që ndryshimi efektiv që duhet të mbulohet nga tarifat e reja është 57.7 milionë euro.

Ky është vetëm propozim fillestar dh se ZRRE-ja u ofron kompanive të rregulluara, konsumatorëve dhe palëve tjera të interesit mundësinë që të shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në këtë raport konsultativ, dhe të komentojnë ato, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh.