×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata e Hill

    Rohde rikujton se çfarë kishte thënë kancelari Scholz: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë përfshin njohjen reciproke

    Reporteri
    14 Qershor 2024 | 9:15

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka shpërndarë një deklaratë të kancelarit gjerman Olaf Scholz i cili gjatë vizitës në Kosovë e Serbi, kishte thënë se është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të Kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

    Me këtë postim Rohde ka shpërndarë edhe lajmin me deklaratën e Kancelarit Scholz i cili kishte deklaruar se “është e qartë se marrëveshja duhet që përfundimisht ta zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE’së”, kishte deklaruar Kancelari gjerman.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

    Në një intervistë për ‘NIN’, Hill ka thënë se evropianët po kërkojnë vetëm normalizimi i marrëdhënieve.

    Sipas tij, përfaqësuesit e BE-së duan paqe dhe siguri në rajon dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, ka thënë Hill, duke shtuar se dëshiron të shohë më shumë përparim në dialog./Reporteri.net/

    Hill: Njoha e Kosovës nuk është kusht që Serbia të bëhet pjesë e BE-së, i kërkohet normalizimi

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!