×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrahje mes familjarëve në disa qytete të Kosovës, dhuna në familje s’po ndalet

    Reporteri
    06 Dhjetor 2021 | 10:19

    Pesë raste të dhunës në familje kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, ani pse muajin e kaluar u bë thirrje e vazhdueshme që dhuna në familje të ndërpritet.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, theksohet se rrahjet kanë ndodhur në Podujevë, 2 raste në Prishtinë, në Gllogoc e në Gjilan.

    Në Podujevë raportohet se janë rrahur mes vete dy vëllezër. Të dyshuarit janë intervistuar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt pas konsultimit me prokurorin.

    Në Prishtinë, në njërin rast vajza ka raportuar se babai i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj, me ç’rast ai u dërgua në mbajtje. Në rastin tjetër, një burrë dhe një grua kanë raportuar se janë kërcënuar nga një i dyshuar i cili ishte nën ndikim të alkoolit. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Në Gllogoc janë rrahur baba e djalë mes vete, të cilët gjatë rrahjes qenë nën ndikim të alkoolit. Si pasojë, të njëjtit kanë marrë lëndime trupore.

    Ndërkaq në Gjilan, është arrestuar një person pasi në shtëpinë e tij ka rrahur nipin e mbesën.

    Policia njofton se sipas familjarëve i dyshuari është i sëmurë mental ku edhe posedon dokumente lidhur me sëmundjen e tij. Viktimat janë dërguar te mjeku dhe kanë pranuar tretman mjekësor, kurse të dyshuarit prokurori me vendim i ka caktuar masën e ndalimit policor për 48 orë. I dyshuari është dërguar në spital repartin e psikiatrisë në Gjilan dhe gjendet nën mbikëqyrje të policisë.

    Kujtojmë se sot Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), ka kujtuar gratë e vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vjetët e fundit në Kosovë, me anë të një aktivitetit të titulluar “Tuneli i Fundit”.

    Në një tunel të improvizuar janë vendosur historitë e grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në Kosovë, ku kalimtarët do ta kenë rastin të lexojnë për dhunën që gratë e përjetojnë përgjatë viteve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!