Rrëfimet nga lufta e Kosovës që mund ta ndryshojnë Specialen

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se paqen do ta arrijë vetëm kur do të këtë drejtësi për ata që abuzuan me të, 20 vjet më parë.


Rrëfimi i saj emocional, sikur edhe ai i Ilir Bytyqit, vëllait të tre dëshmorëve, dhe i ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, para Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, në seancën dëgjimore me temën: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”, kanë ritheksuar nevojën për drejtësi, shkruan sot Koha Ditore.

Kryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Paul Willliams, drejtësinë për viktimat shqiptare e kanë parë të lidhur ngushtë me ndryshimin e pozicionit të ShBA-së karshi Gjykatës Speciale. Për herë të parë në Kongresin Amerikan është kërkuar ndryshim i misionit të Gjykatës Speciale nga gjykata që ndjek vetëm shqiptarët për krimet e pretenduara, të ndjekë edhe krimet e pandëshkuara të serbëve mbi shqiptarët.

Profesori i Universitetit Amerikan në Uashington, Paul Williams, kujtoi krejt ato çfarë ka bërë Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Sipas tij, kjo gjykatë ngriti akuza vetëm ndaj shtatë pjesëtarëve të regjimit serb për krime të kryera në Kosovë.

“Çuditërisht, asnjë nga këto shtatë aktakuza nuk përfshinte një akt të qartë të përdhunimit si krim kundër njerëzimit”, ka thënë ai para kongresistëve.

Në Kosovë, sipas raporteve ndërkombëtare e vendore, thuhet se 20 mijë gra janë dhunuar në periudhën e luftës në Kosovë.