Rreth 300 persona në kërkim nga Policia e Kosovës

Një numër i konsiderueshëm personash janë në kërkim nga Policia e Kosovës.


Ata janë të kërkuar për vepra të ndryshme, duke filluar nga rastet e vjedhjeve e deri te personat e dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

Drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), Veton Elshani, ka treguar për REL, se  aktualisht janë 288 persona në kërkim nga Policia e Kosovës. Sipas tij, vetëm këtë muaj Policia ka arrestuar 3 persona, të dyshuar për grabitje, vrasje dhe vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

Ndërkohë, në zyrën për media të Policisë së Kosovës, nuk kanë dhënë shumë detaje për numrin e personave që janë në kërkim dhe për veprat që ata dyshohet se i kanë kryer.

Gjithashtu, nuk është sqaruar as në lidhje me dyshimet se në cilat vende, shtete fshihen këta persona, sipas informatave që posedojnë organet e rendit.