Sonte në mbrëmje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi Komunën e Malishevës, ku u prit nga Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, për t’u njohur me pasojat e reshjeve të fundit dhe masat e ndërmarra për menaxhimin e situatës. Osmani dhe Kastrati vizituan digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rreziqet e mundshme.

Sipas një njoftimi nga Komuna e Malishevës, kryetari Kastrati informoi presidenten për gjendjen aktuale, dëmet e shkaktuara dhe koordinimin e vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent dhe se janë marrë masa për të ndihmuar qytetarët e prekur.

Reklamë

“Kemi monitoruar digën e Liqenit të Mirushës për të parandaluar çdo rrezik nga një avari eventuale,” tha kryetari Kastrati, duke kërkuar edhe mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar.

Presidentja Osmani përgëzoi institucionet lokale dhe ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke theksuar se prioritet ka qenë mbrojtja e jetës së qytetarëve, dhe shprehu solidaritetin e saj me të gjithë të prekurit.

“Bashkë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar dhe mund të merren masat e nevojshme nga të gjitha nivelet,” tha Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës.