Në fshatin Sojevë, rruga prej 35 kilometra që lidh qytetin e Ferizajt me atë të Gjilanit, mban emrin “Beau Biden”, djalit të ndjerë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Në nderë dhe kujtim të veprës dhe jetës së Josep R. “Beau” Biden, në gusht të vitit 2016 u bë inaugurimi i memorialit të tij, afër kampit Bondstill në Ferizaj.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe presidenti i ShBA-së, atëkohe zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, së bashku me familjen e tij, krerë të lartë institucional të Kosovës e shumë qytetarë.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratikes të Kosovës, Lutfi Haziri i cili ishte prezent në këtë ceremoni si kryetar i Gjilanit, e kujton si ditë të veçantë, pasi siç thotë ai, të ndjerin Beau Biden e kishte njohur edhe personalisht.
“Kam pas nderin të jem nikoqir në hapjen e ketij manifestimi. Unë kam qenë mik në kohën kur Beau Biden ka shërbyer në Kosovë. E kam njohur personalisht, në dy etapat, edhe si ushtarak e më vonë edhe si mbështetës vullnetar në ndërtimin e institucioneve të drejtësisë, në veçanti të sistemit prokukrorial dhe organeve tjera të drejtësisë”, shprehet ish-kreu i Gjilanit.
Haziri ka thënë se kjo ceremoni, atë ditë kishte bërë të gjithë bashkë.
“Ka qenë një ditë e veçantë sepse inaugurimi i emërimit të rrugës Gjilan- Ferizaj me emrin Beau Biden, përveç që ka bërë bashkë instituconet politike në Kosovë, i ka bërë bashkë edhe kryetarët e komunave të regjionit të Anamoravës”, ka deklaruar ai.
Tutje Haziri shprehet se për të ishte nder dhe privilegj të mbante fjalim para presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
“Me adresu fjalën para Joe Biden, në atë kohë zëvendës, tani president i ShBA-së, nuk ka qenë e lehtë, ishte një privilegj dhe natyrisht në veçanti para fëmijëve të Beau Biden dhe familjes së tij, ka qenë një nder i veçantë dhe përkujtim i një mikut të madh për mua”, tha Haziri.
“Beau Biden mbetet një shpirt që bën dritë mbi lirinë e Kosovës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm edhe në arritjen e paqes, por më vonë edhe në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore për Kosovën e pavarur. Ai ka ecur gjurmëve të babait të tij”, u shpreh Haziri.
Ai ka theksuar se emërtimi i rrugës dhe vendosja e memorialit në emër të djalit të ndjerë të presidentit të ShBA-së Joe Biden, janë vetëm një vlerësim i vogël që Kosova ka bërë për një mik të madh siç ishte Beau Biden.
“Rruga është vetëm një vlerësim i vogël që Kosova ka bërë për një mik të madh timin personalisht por edhe të vendit tonë, çfarë ka qenë Beau Biden. Biden duhet të falënderohet në kuadër të krejte atyre burrave dhe grave, ushtarakëve, diplomateve dhe njerëzve që kanë kontribuar në lirin e Kosovës””.
Ish- kryetari i Komunës së Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, meritat për mirëmbajtjen e memorialit “Beau Biden” në fshatin Sojevë, ia adreson vetëm kryetarit të Ferizajt, Agim Aliut dhe shton se Qeveria, sipas tij, as nuk e dinë që ekziston një memorial i tillë.
“Krejt çka kam pa deri më tani, është ndërhyrja e kryetarit të Ferizajt Agim Aliu, që bën kohë pas kohe, do të thotë e mirëmban dhe angazhohet, por Qeveria aktuale totalisht, nuk besoj se e din që ekziston një memorial i tillë dhe që është në listë, e cila duhet të përkujdeset sepse është në kuader të mirëmbajtjeve të rrugëve dhe ambienteve. Për mirëmbajtjen institucionale për lapidar dhe për vlera të tilla është agjensioni i shtetit, Qeveria duhet të tregoj një lloj kujdesi të veçantë”, ka potencuar Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, ka folur edhe për memorialin tjetër në nder të ‘Beau Biden’, që është i vendosur në hyrje të këtij qyteti, i cili u realizua me idenë e tij gjatë vitit 2020.
Haziri thotë se të dy memorialet kanë mbetur pa përkujdesje.
“Memoriali është në dy pjesë, në fshatin Sojevë afër kampit Bondstill, ku Beau Biden ka shërbyer si ushtarak në kuadër të forcave amerikane paqeruajtëse në fillim, kurse memoriali i dytë është vendosur në hyrje të Gjilanit prej rrugës së Ferizajt, poashtu në përkujtim të tij sepse ka qenë një nga vendet ku ne kemi zgjedhur për këtë memorial. Faktikisht kanë mbetur të dy këto monumente pa përkujdesje”, u shpreh Haziri.
Kryetari i fshatit Sojevë, Betim Syla, ka një kërkesë për Qeverinë aktuale. Në një intervistë ai thotë se është e nevojshme të bëhet zgjerimi i rrugës nga hyrja e Bondstillit e deri tek qasja në autostradën ‘Arbër Xhaferi’ si dhe të bëhet zgjerimi i memorialit të ‘Beau Biden’, për të ruajtur edhe më shumë miqësinë me Amerikën.
“Konsideroj se Qeveria duhej ta merrte përsipër mirëmbajtjen, trajtimin pse jo edhe zgjerimin e këij memoriali në të ardhmen, për të ndërtuar edhe më shumë miqësinë tonë me Amerikën, familjen Biden dhe të gjithë ata që bënë mund dhe sakrificë për Kosovën. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës të bëj një investim në këtë rrugë sepse është në interes të të gjithëve. Unë rekomandoj, që në këtë pjesë të bëhet infrastruktura rrugore, kjo rrugë të bëhet me 4 korsi, të ketë ndriçim të bollshëm si dhe trotuar. Nga hyrja e Bondstillit e deri tek qasja në autostradën ‘Arbër Xhaferi’ është e nevojshme të bëhet zgjerimi i rrugës me të gjitha kushtet evropiane”, deklaroi Syla.
Syla ka folur edhe lidhur me mirëmbajtën e rrugës dhe monumentit që mban emrin “Beau Biden”, djali të ndjerë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Ai ka pohuar se Kuvendi Komunal përmes kompanisë ‘Ambienti’ është duke u kujdesur mjaftë mire për këtë hapësirë.
“Faktikisht memoriali mirëmbahet nga kompania ‘Ambienti’ e Kuvendit Komunal, nga banorët dhe ndonjëherë nga disa organizata joqeveritare. Komuna është përgjegjësja kryesore e këtij memoriali dhe deri më tani jemi të kënaqur sa i përket mirëmbajtjes”, u shpreh Syla.
I pyetur për vizitat e krerëve institucional, Syla ka treguar se një nga liderët që ende nuk e ka vizituar këtë rrugë dhe monumentin që mbajnë emrin e ‘Beau Biden’, është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Deri më tani kryeministrin Kurti, nuk e kemi pasur fatin ta kemi, por besoj në të ardhmen do të gjej kohë të vizitoj këtë memorial, i cili është domethënës jo vetëm për Ferizajn por për të gjithë shqiptarët anë e mban ku janë, duke marr parasysh historinë dhe miqësinë që e kemi me SHBA-të”, ka thënë Syla.
Kenan Gashi nga shoqëria civile thotë se dita kur u inaugurua ky memorial, është një nga kujtimet më të mira për Ferizajn.
“Ishte një ditë shumë e mirë, sepse ka qenë ceremonia e aktiviteti dhe vizitës që presidentit Biden që i bëri Kosovës. Është njëra nga kujtimet më të mira që ka Ferizaj. Atë ditë përpos që ka qenë sistemi organizativ në nivelin më të lartë protkollar, ka qenë edhe njëra prej elementeve më të mira që kemi pasur fatin të kemi Joe Biden në Kosovë. Këtë vend e ka vizituar edhe sekretari i NATO’s e shumë e shumë figura të larta të ShBA-së dhe BE-së”, ka deklaruar Gashi.
Gashi ka thënë se rruga dhe memoriali që mbajnë emrin “Beau Biden”, djali të ndjerë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka ardhur si propozim i ish- kryetarit të komunës së Ferizajt dhe ish kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
“Kjo hapësirë ka rrjedh si propozim i ish kryetari të komunës së Ferizajt dhe ish kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, por natyrisht edhe nga idetë e qytetarëve që e duan dhe që e kanë shumë të rëndësishëm çështjen e mjedisit”, tha ai.
Gashi ka potencuar se vendi ku ndodhet monumenti i ‘Beau Baden’, ka qenë njëra nga hapësirat që ka pasur më së shumti mbeturina.
“Kjo ka qenë njëra nga hapësirat më të këqija sepse ka pasur shumë mbeturina, por fal një kompanie ferizajase, e cila ka arritur të mirëmbaj dhe të rregulloj për disa ditë këtë pjesë, ka ardh fatmirisht me një pamje të bukur, ku edhe vet kam qenë pjesë e ekipit të tyre. Ka qenë mahnitëse sepse është dukur jashtëzakonisht bukur dhe ka qenë e rregulluar siç është edhe tani”, tha tutje Gashi.
Kenan Gashi nga shoqëria civile, shpreh pakënaqësi ndaj Qeverisës së Kosovës për mos interesimin e tyre ndaj kësaj hapësire dhe thotë se për mirëmbajtjen po kujdeset vetëm kompania ‘Ambienti’ e cila funksionon në kuadër të komunës.
“Për mirëmbajtjen, përpos kompanisë ‘Ambienti’ e cila kujdeset për drunjtë dhe hapësirën për pastrim e të tjera, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asgjë, ndonjë element ose buxhet për këtë vend kaq të rëndësishëm, e që në veçanti do të duhej ta ketë një përshtypje më të mirë për këtë hapësirë”, ka thënë ai.
Gashi tutje thotë se shpeshherë bashkë me ushtarë të KFOR-it kujtojnë momentet më të mira të ditës kur u bë inaugurimi i monumentit ‘Beau Biden’.
“Në ditët që lidhen me festat e ShBA-së, ne vizitojmë këtë vend dhe vendosmi lule në shenjë të nderit për ditët e veçanta që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi nderin që shpeshherë me ushtarët e KFOR-it të ndajmë momente të asaj dite, për ceremoninë e vitit 2016 që ka qenë simbol dhe është një vend që lidhen emocionet tona me Bondstillin dhe këtë memorial”, ka vijuar Gashi.
Kjo rrugë dhe ky memorial janë inauguruar në gusht të vitit 2016.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden së bashku me familjen e tij.
Presidenti Biden, gjatë fjalimit kishte thënë se djali i tij ishte dashuruar në Kosovën ashtu siç edhe ishte dashuruar vetë ai, si dhe premtoi se çdo Biden do të vijë në Kosovë për ta parë memorialin e ngritur për nder të djalit të tij.
Kujtojmë se Beau Biden kishte shërbyer si këshilltar ligjor, në Kosovë gjatë vitit 2001. Beau Biden vdiq nga kanceri në tru me 30 maj të vitit 2015.
*Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.