×
  • Lajme
  • Lajme

    Rusia akuzon Perëndimin për “NATO’fikim” të Bosnjës

    Reporteri
    17 Gusht 2022 | 14:07

    Kontigjentin e ri e forcave përforcuese gjermane në kuadër të misionit paqeruajtës evropian EUFOR në Bosnje-Hercegovinë, ambasada ruse në Sarajevë e quajti si përpjekje për të dominuar ushtarakisht shtetin ballkanik.

    “Duket qartë se shtetet perëndimore, në rend të parë ShBA dhe MB po përgatisin terrenin për ta NATO’fikuar”, ka thënë ambasada e federatës ruse.

    Ardhjen e trupave shtesë në Bosnje-Hercegovinë ky mision diplomatik rus e quan “të panevojshëm”.

    “Kjo në asnjë mënyrë nuk e forcon sigurinë e brendshme të Bosnje-Hercegovinës, gjë që, siç vetë perëndimorët vërejnë, nuk ka kërcënim, por për dominim gjeopolitik dhe për dëshirën që ta mirëmbajnë hegjemoninë me çdo kusht”, thuhet më tej në reagim.

    Të hënën grupi i parë i trupave gjermane – nga 50 të planifikuar – u vendos në Bosnje, duke e rritur numrin e vendeve pjesëmarrëse të EUFOR-it në 20.

    Mandati i EUFOR skadon në nëntor dhe duhet të rinovohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Vendet perëndimore janë të shqetësuara se Rusia mund ta bllokojë këtë.

    Deklarata e ambasadës ruse vjen gjithashtu pasi senatorët amerikanë më 5 gusht propozuan legjislacion të ri të quajtur Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, i cili thotë se ShBA duhet të mbështesë ruajtjen e mandatit të EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Nëse Rusia bllokon riautorizimin e misionit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, legjislacioni i propozuar thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin ndikimin e saj brenda NATO-s për të inkurajuar aleancën për të mbështetur një forcë ushtarake ndërkombëtare për të ruajtur sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Ambasada ruse tha se nuk përjashton “provokimet që do të vërtetojnë ‘dobësinë’ e EUFOR-it dhe nevojën për ta zëvendësuar atë me trupa okupuese të NATO-s”.

    Ministrja e Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, iu përgjigj deklaratës ruse duke thënë se Moska më parë i kishte dhënë mbështetje Ligjit për Mbrojtjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, i cili ofronte një kornizë ligjore për Bosnjën për të ndërmarrë hapa drejt integrimit në NATO.

    “Trupat e NATO-s në Bosnje dhe Hercegovinë nuk janë ‘trupa pushtuese’, siç pretendon Ambasada Ruse në Bosnje dhe Hercegovinë në komentin e saj të publikuar në rrjetet sociale”, tha Turkoviç.

    Turkovic tha gjithashtu se Bosnja dhe Hercegovina pret që vendet që mbështesin marrëveshjen e paqes të Dejtonit të përmbahen nga deklaratat që nuk kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin, “duke përfshirë përmendjen e ‘provokimeve’ të paidentifikuara”.

    Ajo argumentoi se një deklaratë si kjo dëshmon nevojën për praninë e vazhdueshme të forcave ushtarake ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Në një zhvillim tjetër të martën mbrëma, Ministria e Jashtme tha se mori një letër drejtuar Turkovic dhe mbikëqyrësit ndërkombëtar të Bosnjës, Christian Schmidt, duke i kërcënuar ata me një përgjigje nga “Rusia e fuqishme dhe Putin”.

    Letra kishte një vulë postare serbe dhe ministria tha se dërguesi e kishte nënshkruar atë në emër të shefit ushtarak serb boshnjak të kohës së luftës dhe të dënuarit për gjenocid Ratko Mlladiç.

    Aktualisht janë afër 1200 ushtarë në Operacionin Althea, të shpërndarë në të gjithë Bosnje dhe Hercegovinën.

    Kontigjenti i fundit prej 500 ushtarësh u bashkua në mars, rreth një muaj pas pushtimit rus të Ukrainës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!