×
  • Lajme
  • Lajme / EKSKLUZIVE

    Rusia lëshon fletarrest ndërkombëtar për komandantin e Njësisë Speciale, Besart Ahmeti

    Autor:Gent Mehmeti
    01 Mars 2024 | 21:36

    Kapiteni Besart Ahmeti, shef i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është shpallur në kërkim nga Rusia.

    Burime të gazetës online Reporteri.net bëjnë të ditur se ndaj Ahmetit, Rusia ka lëshuar një fletarrest ndërkombëtar.

    Flet-arresti ndaj tij vjen pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin e veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë. Megjithëse pretekst është marrë pjesëmarrja e tij në vitet e fundit në aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës, përfshirë arrestimin e një shtetasi rus më 2019, për barrikadat në veri.

    Ahmeti është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2001.

    Rusia njihet për urdhra arresti ndaj shumë personaliteteve të cilët e kundërshtojnë regjimin e Vladimir Putinit. Rreth 100 mijë persona janë në listën e të kërkuarve nga Rusia.

    Vetëm në dy vitet e fundit, pas pushtimit në Ukrainë, prokurorët rusë kanë lëshuar urdhra arresti për qindra të huaj, duke përfshirë kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe senatorin amerikan Lindsey Graham, zyrtarë të lartë të të drejtave të njeriut dhe madje edhe zëdhënësin e kompanisë së mediave sociale Meta.

    Këto urdhërarreste përfshijnë luftëtarë të huaj që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, zyrtarë ukrainas dhe ligjvënës në shtetet baltike që votuan për heqjen e memorialeve sovjetike të Luftës së Dytë Botërore. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!