×
  • Lajme
  • Lajme / Lajmi i fundit

    Sami Lushtaku ftohet në zyrat e EULEX-it

    Reporteri
    08 Mars 2024 | 22:01

    Ish-komandanti i UÇK-së dhe kryetari i degës së PDK-së në këtë qytet, Sami Lushtaku, është ftuar për t’u paraqitur në zyrat e EULEX-it të premten në mbrëmje.

    Arsyet e kësaj ftese në zyrat e EULEX-it ende nuk janë bërë të ditura. Gazeta online Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Faton Klinaku, kryetar i OVL së UÇK-së, ka reaguar në Facebook për ftesën e Speciales ndaj Lushtakut.

    “Përveç spektakleve të vazhdueshme që po bëhen nga kjo pseudogjykatë, të ndalohet njeriu në rrugë pa kurrfarë paralajmërimi, kjo është edhe një poshtërsi e tyre e radhës”, ka shkruar Klinaku.

    Ftesa e Lushtakut në zyrat e EULEX-it ka ndodhur vetëm një ditë pasi Prokuroria Speciale bastisi shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit.

    Avokati i Selimit, Artan Qerkini të enjten ka konfirmuar bastisjen në shtëpinë e Selimit.

    Qerkini ka thënë para mediave se Selimi nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por se bastisja është kryer meqë mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

    “Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e z.Sylejman Selimi. Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por sipas urdhërit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pas prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë Qerkini para gazetarëve të enjten.

    Në fund të vitit të kaluar, Specialja pati zhvilluar një seri bastisjesh ndaj ish-këshilltarëve të presidentit Hashim Thaçi, si Blerim Shala dhe Artan Behrami.

    Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!