×
  • Lajme
  • Lajme

    Samiti i Berlinit: Për Thaçin i “thatë”, për Ramushin nuk është pak

    Reporteri
    28 Prill 2019 | 21:13

    Udhëheqësit shtetërorë të gjashtë vendeve të Ballkanit, të hënën, do të priten në Berlin nga kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Në mesin e tyre do të jenë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj.


    Sipas agjendës zyrtare të siguruar nga Gazeta Online “Reporteri.net”, të hënën në kuadër të këtij samiti, agjenda nuk parasheh ndonjë takim të veçantë, sy me sy, mes liderëve kosovarë Thaçi e Haradinaj, me nikoqirët Merkel dhe Macron.

    Krerët e shtetit udhëtojnë në këtë samit pa një qëndrim të koordinuar institucional. Për më tepër ata kanë dallime të kundërta lidhur me seriozitetin e këtij samiti.

    “Takim normal”

    Ndërsa presidenti e zhvelftëson duke e quajtur normal, pra jo aq të rëndësishëm, Haradinaj e thotë të kundërtën pasi thotë se nuk është pak pjesëmarrja në një takim ku prezent është kancelarja Merkel e presidenti Macron.

    Por çfarë kanë kanë deklaruar presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj ditë më parë për këtë samit?

    Presidenti Hashim Thaçi para nisjes për Gjermani, për Samitin e Berlinit, nuk i ka dhënë aq rëndësi takimit të Berlinit, aq sa e ka zhvleftësuar në një mënyrë duke thënë se nuk duhet pritur mrekulli.

    Ai tha se Kosova nuk do të lejojë në asnjë formë shkëmbim territoresh me Serbinë, por ka shtuar se është e drejtë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës.
    Në një konferencë në Aeroportin e Prishtinës, Thaçi ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe nëse në këtë samit kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron nuk japin qëndrim të qartë pro liberalizimit do të ishte padrejtësi e madhe për Kosovën.

    Për dialogun ka thënë se Kosova është e gatshme ta vazhdojë bisedën me Serbinë, ndërsa ka shtuar se kërkon që nikoqirët e samitit të dënojnë gjenocidin serb në Kosovë.

    Kurse ditë më parë në një intervistë për mediat tregoi se çdo të kërkoi konkretisht për Kosovën në këtë samit nga Merkel e Macron, që i përsëri në një mënyrë edhe në konferencën e sotme.

    Nga takimi pres konfirmimin nga Merkel dhe Macron se do ta mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, jo si dhuratë por respektim i kontartës sepse kemi plotësuar kriteret. Nëse kjo s’ndoh ky takim për Kosovën do jetë i thatë dhe i zbehtë dhe pa substancë. Do t’i pyes (Merkel dhe Macron) se si do t’i bindin pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, do kërkoj nga takimi që ta bindin Serbinë për ta njohur Kosovën, të mos e mohojnë gjenocidin në Kosovë. Nëse këto nuk repsektohen do jetë një fiasko e këtij takimi”, ka deklaruar Thaçi.

    “Nuk është pak, nikoqir Merkel e Macron”

    Për dallim nga Thaci i cili ka thënë se nuk është aq i rëndësishëm takimi në Berlin, kryeministri Ramush Haradinaj e vlerëson të rëndësishëm takimin, pasi nuk mendon se është aq i thjeshtë pasi prezent janë dy figura të larta të politikës botërore.

    Sonte pasi mbërriti në Berlin deklaroi se ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasin hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.

    Kurse ditë më parë në një konferencë për media kur pyet për rëndësinë e takimit tha se “nuk është pak kjo, janë nikoqir Merkel e Macron dhe mbahet në Berlin”.

    Kryeministri ndërkaq ka këmbëngulur se as ky samit nuk ndryshon qëndrimin e tij për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

    “Nuk hiqet taksa as në këtë samit as në ndonjë samit tjetër”.

    Kujtojmë se gati dy orë pas punimeve të samitit të 29 prillit, në ora 17:30, agjenda parasheh që liderët e Ballkanit, bashkë me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron, ta bëjnë një fotografi zyrtarë të Samitit të Berlinit. Në agjendë, fotografia është emërtuar si “foto familjare”.

    Pas përfundimit të këtij takimi, të gjithë liderët dhe delegacionet shtetërore do të kenë darkën e përbashkët të punës, e cila pritet të zgjas deri rreth orës 22:00.

    Krejt në fund, pas përfundimit të darkës së punës, nga organizatorët do të lëshohet edhe një deklaratë e përbashkët për media, e cila do të dal si rezultat i bisedimeve gjatë këtij samiti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!