×
  • Lajme
  • Lajme / Kritikat e SHBA-së

    Sarrazin nuk komenton deklaratën e Escobarit se ka zhgënjim me qeverinë e Kurtit

    Reporteri
    21 Mars 2024 | 21:34

    Emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e homologut amerikan Gabriel Escobar, i cili një javë më parë kishte thënë se SHBA-ja dhe shtetet evropiane janë të zhgënjyera me qeverinë e prirë nga Albin Kurti.

    “Nuk e komentoj këtë”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për RTK-në të enjten.

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se janë shumë të zhgënjyer me Qeverinë që udhëheq Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin.

    “Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, tha Escobar.

    Escobar, shtoi se “Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale”.

    Gazeta online Reporteri.net para dy javësh raportoi ekskluzivisht, se Administrata amerikane ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si ‘masë kufizuese’ ndaj tij. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, me Serbinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!