×
  • Lajme
  • Lajme

    SBASHK-u kërkon angazhim në respektimin e masave antiCOVID

    Reporteri
    10 Janar 2022 | 13:53

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka uruar punëtorët arsimorë në nisje të gjysmëvjetorit të dytë, duke i lutur të angazhohen maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së për ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe shëndetin tuaj.

    “Urojmë që të kemi sa më pak telashe e vështirësi me pandeminë dhe të vazhdojmë betejën për dije të reja edhe përkundër mungesës së kushteve për punë dhe të mjeteve bashkëkohore të mësimit. Gatishmëria dhe vullneti juaj në misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave na bën të ndjehemi krenar dhe Ju premtojmë se ne do të vazhdojmë ta ruajmë besimin tuaj duke u angazhuar tani e gjithmonë që të jemi zë i juaji dhe të realizojmë kërkesat tuaja legjitime”, thuhet në njoftimin e SBASHK.

    SBASHK ka përgëzuar punëtorët e arsimit për gatishmërinë dhe angazhimin që gjysmëvjetori i dytë të nis me sukses.

    “Ju lusim të angazhoheni maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së duke ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe shëndetin tuaj. Ju përgëzojmë edhe për gatishmërinë e shprehur vazhdimisht që të angazhoheni e të veproni sipas vendimeve të institucioneve përgjegjëse lidhur me situatat që mund të krijohen, sepse fatkeqësisht numri i të prekurve me Covid edhe në Kosovë sa vjen e shtohet. Besojmë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do të na jepte kurajë e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Na priftë e mbara dhe paçim rrjedhë të mbarë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet në komunikatën e SBASHK.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!