Sot në ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë së re. S’dihet ende nëse mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka numrat për ta formuar kabinetin e ri qeveritar.
Ai duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, partia e tij ka siguruar 48 ulëse në Kuvend.
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim për ndonjë koalicion të arritur.
Lidhur me formimin e Qeverisë, Kurti ditë më parë kishte folur në Londër në një takim me mërgatën, duke deklaruar se “nuk është kollaj”.
“… Prandaj në këto ditët e mbetura jemi duke komuniku, jemi t’u bisedu, nuk është kollaj se s’di si me ua shpjegu, ndoshta e keni ndje edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi, inate e cinizëm shumë më shumë se ide punë e pasion. Por, jemi ku jemi tash këtu dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe por siç po duket alternativa është do të shkojmë zgjedhje prapë, ose do ta bëjmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Kurti gjatë javës.
Partitë politike, PDK, LDK, AAK e NISMA kanë thënë se nuk do ta votojnë një qeveri të udhëhequr nga Kurti.
/Reporteri.net/