×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbia thotë se do të luftojë që më 5 tetor të mos hyjë në procedurë anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës

    Reporteri
    28 Shtator 2022 | 12:21

    Serbia do të luftojë ashpër ndaj qëllimit të Kosovës që të futet në procedurën e anëtarësimit në Këshill të Evropës më 5 tetor, deklaroi kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Kosova ka dorëzuar aplikacionin e saj, dhe kanë shumicën e nevojshme për anëtarësim në këtë organizatë, tha Selakoviç, derisa tregoi se Serbia nuk do të qëndrojë pasive.

    “Çështja mbetet nëse Këshilli i Evropës do të shkel të gjitha parimet e Statutit të kësaj organizate, nëse do të çojë në përçarje të reja mes shteteve evropiane ose nëse do të jetë ndonjë lloj presioni i ri për neve”, u shpreh ministri serb i jashtëm, në Tv Happy.

    Përveç pesë shteteve antëare të BE-së që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, Selakoviç numëroi edhe shtetet pjesë të kësaj organizate që s’e njohin Kosovën, përkatësisht Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Bosnje-Hercegovinën dhe Ukrainën.

    Këto shtete kanë të drejtë vote, tha Selakoviç, derisa shtoiu se “ka edhe shtete që kanë njohur Kosovën por nuk janë në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE”.

    Aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, Selakoviç e quajti “shkelje të moratoriumit” të nënshkruar në Washington, ndonëse ajo ishte njëvjeçare, përveç se Serbia nuk i ka qëndruar asnjëherë zotimit për pezullimin e fushatës për çnjohje ndërkombëtare të Kosovës.

    Fushatën për çnjohje, Selakoviç tha se Serbia do ta vazhdojë “që ta rrisim atë numër [të çnjohjeve] sa më lart”.

    Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të këtij viti.

    Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

    Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja Gërvalla, kishte konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.

    “Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

    Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

    Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

    Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!