×
  • Lajme
  • Lajme

    “Serbia nuk do ta njohë Kosovën, Kurti me kërkesat e reja e komplikoi situatën”, thotë vartësi i Vuçiçit

    Reporteri
    23 Gusht 2022 | 10:05

    Autor: Xhezair Dashi


    Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, tha nënkryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe më i përfoluri për kryeministër të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviç, transmeton Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Me kërkesën e re gjashtë pikëshe të kryeministrit kosovar, Albin Kurtit, që e tregoi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në konferencë për shtyp të dielen, Vuçeviç tha se “Kurti e komplikoi edhe më tej situatën në tërësi”.

    “Është e pamundur të arrihet kompromisi, që pala shqiptare të fitojë gjithçka e pala serbe të humbet gjithçka”, ka thënë ai në televizionin serb “Prva”.

    Vartësi i Vuçiç, Vuçeviç, përsëriti proklamimet dramatike të presidentit të tij se “nuk do ketë Stuhi të re ndaj serbëve”, derisa shtoi se “Serbia është e gatshme të bisedojë”.

    Përveç raporteve me Kosovën, atij i doli punë edhe me Zagrebin zyrtar.

    “Ata atje në Kroaci, kur s’kanë se si t’i zgjidhin problemet e tyre të brendshme, u vjen në mendje Aleksandër Vuçiç, dhe nisin e sulmojnë”,  tha ai.

    Në një paraqitje mediale, zv/kryeministri kroat, Tomo Medved, i reagoi Serbisë duke thënë se duke u gjendur para vështirësive me Kosovën, “tani po provojnë t’ia ndërrojnë karakterin çlirimtar të operacionit Stuhia”.

    “Kjo gjë nuk do të kalojë asnjëherë e nuk do të ketë sukses”, tha Medved.

    Serbia, tha ai, ende nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj agresore, derisa shtoi se Serbia nisi tri agresione, së pari ndaj Kroacisë, pastaj Bosnje-Hercegovinës e në fund në Kosovë.

    Operacioni ushtarak “Stuhia”, rikujtoi zv/kryeministri kroat, me vendim dhe vlerësim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës është shpallur veprim legjitim ngase karakteri i saj ishte çlirimtar ndaj territoreve kroate të zaptuara nga serbët, shkruan “Reporteri.net”.

    Gjashtë pikat që sipas Vuçiç i kërkoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti:

    Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare; Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe publike dhe kthimi i objekteve, dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen; Respektim reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës; Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare“./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!