Ish-deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka thyer heshtjen disa vite pas intervistimit të tij nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke iu drejtuar me një letër kësaj gjykate.

Muja ka bërë të ditur se është intervistuar në Hagë në vitin 2019 si i dyshuar lidhur me pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty-t. Ai thotë se që atëherë ka zgjedhur të mos prononcohet publikisht, pasi ka konsideruar se kjo ishte mënyra më e drejtë për t’u sjellë ndaj një procesi gjyqësor në zhvillim.

Në letrën e tij, Muja mohon kategorikisht se ka ekzistuar trafikimi i organeve njerëzore, siç është pretenduar ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Reklamë

“Nëse keni fakte, më arrestoni, sepse nuk kam për çfarë të kem frikë”, citohet të ketë thënë Muja gjatë intervistimit të tij në Hagë. Ai thekson se ky qëndrim i tij nuk ka ndryshuar.

Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, ish-deputeti i PDK-së ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

“Unë i mbështes Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin dhe besoj në pafajësinë e tyre”, ka shkruar Muja, duke shtuar se nuk ka arsye ta fshehë këtë qëndrim vetëm për shkak se ata ndodhen në bankën e të akuzuarve.

Muja ka deklaruar gjithashtu se është krenar për luftën e UÇK-së dhe atë që ajo, sipas tij, përfaqësoi në historinë e Kosovës.

“Për mua, UÇK-ja ishte ushtria që luftoi për çlirimin e Kosovës nga represioni serb. Këtë bindje e kam pasur gjatë luftës, pas saj dhe e kam edhe sot”, ka shkruar ai. Megjithatë, Muja thekson se kjo bindje nuk e përjashton parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Reklamë

Në letrën drejtuar Dhomave të Specializuara, ai ka shprehur shqetësimin e tij për kohëzgjatjen e procesit dhe për ndikimin që, sipas tij, ai mund të ketë në mënyrën se si interpretohet lufta e Kosovës.

Muja ka theksuar se përgjegjësia eventuale e një individi nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi të një organizate të tërë apo në një gjykim mbi karakterin e luftës së Kosovës.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të ndërhyjë në vlerësimin e provave nga gjykata, por kërkon që vendimi për të akuzuarit të bazohet vetëm në prova dhe ligj.

“Në fund duhet të shtrohet vetëm pyetja: çfarë është provuar për secilin individ?”, ka shkruar Muja.

Reklamë

Në fund të letrës, Muja ka shprehur shpresën që Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi të kthehen të lirë në Kosovë, duke përsëritur se vendimi i gjykatës nuk duhet të ndikohet nga bindjet politike, stigmatizimi apo perceptimet e krijuara ndër vite.

“Faktet, ligji dhe drejtësia duhet të jenë më të forta se stigmatizimi, propaganda, politika dhe paragjykimi”, ka përfunduar ai.