×
  • Lajme
  • Lajme

    SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Milorad Dodikut

    Reporteri
    05 Janar 2022 | 16:32

    Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, shkruan Reporteri.net.

    Departamenti i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes.

    “Dodik ka minuar institucionet e Bosnje-Hercegovinë, duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke vënë në lëvizje krijimin e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.

    “Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

    Sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat, intereset në prona të individëve dhe entiteteve të përfshira në sanksione, që i kanë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll nga qytetarët amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja, zyrë kjo në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit. Po ashtu, personave dhe entiteteve të sanksionuara u ndalohen të gjitha transaksionet me personat amerikanë.

    Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, më 5 janar tha në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës se janë të mundshme sanksionet për individët në Bosnje dhe Herzegovinë.

    “Këto janë sanksionet e tyre, nuk janë tonat. Unë nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë për Amerikë, edhe nëse do të mi heqin sanksionet nesër”, ishte shprehur Dodik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!