×
  • Lajme
  • Lajme / Konferenca e Hovenierit

    SHBA-ja zmbraps kërcënimet nga Serbia: NATO-ja është gati

    Autor:Gent Mehmeti
    20 Mars 2024 | 17:16

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe pas takimit ka mbajtur një konferencë për media para objektit të qeverisë.

    Takimin me Bislimin e ka cilësuar si rutinë dhe i ka kushtuar vëmendje kërcënimeve nga Serbia. Ai ka thënë se SHBA-ja ka qëndruar e palëkundur afër Kosovës dhe çfarëdo kërcënimi të integritetit territorial ose sigurisë së Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Kosova përfiton nga misioni i madh i NATO-s këtu. Është unik në rajon dhe ka garanci të madhe të sigurisë që ka të bëjë me prezencën e forcës së NATO-s. Forca e NATO-s përfshirë qindra ushtarë amerikanë me aleatë të tjerë të NATO-s që mundësojnë lirinë e lëvizjes dhe ambientin e qetë dhe të sigurt dhe është parandalues i plotë i çfarëdo lloj sulmi për të cilin njerëzit mund të shqetësohen”, ka thënë ambasadori amerikan.

    “Vetëm mund të them se angazhimi jonë për sigurinë e Kosovës dhe siguria që garanton SHBA-ja është më e fortë se kurrë. Nuk e humbim gjumin duke u shqetësuar për këto kërcënime. Sepse besojmë se NATO është gati dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj se populli i Kosovës duhet të humbë gjumin për këtë për shkak të aleancës më të suksesshme ushtarake në histori. Ka prezencë të madhe këtu e gatshme për çkado”, ka insistuar Hovenier.

    Ambasadori amerikan në Kosovë është pyetur edhe për deklaratën e kolegut të tij në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se Serbia aktualisht është partnere më e afërt e NATO-s sesa Kosova.

    “Kosova përballet me disa sfida në këtë qëllim sepse disa anëtare të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, ashtu siç e ka njohur SHBA-ja dhe shumë partnerë tanë. Duam që kjo të ndryshojë. Duam që të shohim të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është mirë me NATO-n sa i përket vlerave dhe institucioneve. Pra, më shumë ka të bëjë që të zgjidhen këto çështje”, ka thënë Hovenier.

    “Ne presim plotësisht që Kosova të jetë anëtare e plotë e NATO-s një ditë dhe jemi duke punuar për këtë. Kaq mund të them sa i përket kësaj tani. Do t’i kundërshtoja ata që duan të bëjnë krahasime dhe kontraste se kush qëndron ku në marrëdhënie me kënd. Ka angazhim të madh që po avancon sigurinë e Kosovës, përfshirë nëse ajo vendos ta ushtrojë të drejtën e saj për të shkuar drejt anëtarësimit në NATO”, ka theksuar ambasadori amerikan.

    Rregullorja e BQK-së

    Ai ka komentuar takimin me Bislimin në lidhje me rregulloren e BQK-së.

    “Kishte shenja pozitive. Dhe kjo ishte përpjekja jonë se si mund vazhdojmë të inkurajojmë lëvizje pozitive. Pozicioni i SHBA-së mbetet shumë i qartë për këtë çështje.  Ne respektojmë autoritetin e BQK-së, e kuptojmë se është nën autoritetin e saj që të qeverisë me çështjet monetare për gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ambasadori amerikan.

    “Kjo nuk ka të bëjë me dinarin, ka të bëjë me mënyrën e si është implementuar rregullorja, por jemi të shqetësuar për mënyrën se si është implementuar, për këtë foli edhe kolegu im Gabri Escobar javën e kaluar, dhe implementimi ka ndikuar në popullsinë e cenueshme, sidomos, por jo vetëm, komunitetin serb”, ka thënë Hovenier.

    “Mendojmë se është e rëndësishme të ndërrohet mënyra e implementimit për të adresuar këto shqetësime dhe bisedimet tona për këtë po vazhdojnë. Është mirë që po shohim se ka mundësi nga Kosova dhe Serbia të ofrojnë disa vlerësime se si mund të arrihet kjo me takimet që do të zhvillohen nën mbikëqyrjen e Lajçakut. E mirëpresim këtë”, ka shtuar ai.

    Ambasadori Hovenier ka thënë se pikë fundamentale e politikave të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është se secili shtet duhet të jetë i lirë për vete që të bëjë zgjidhjet e veta për aleancat dhe organizatat që i takojnë.

    “Dhe në fakt, kjo është një pjesë e madhe e angazhimit dhe përkrahjes tonë për popullin e Ukrainës. Ne besojmë se populli i Ukrainës, duhet të jetë në gjendje që të vendos nëse dëshirojnë që të jenë pjesë e NATO-s ose Bashkimit Evropian dhe të mos lejojnë dikë tjetër që të vendosin për ata. Në këtë, Rusia. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndaluar pushtimin brutal të Ukrainës nga Putini, por kjo është pika fundamentale se shtetet duhet të vendosin për veten”, ka thënë ambasadori amerikan.

    Ai ka vlerësuar se SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe përpjekje për të përkrahur popullin e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    “Ne jemi angazhuar shumë, bëjmë stërvitje, shesim armë dhe pajisje për të përkrahur këtë qëllim. Ky mbetet synimi ynë”, ka shtuar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!