Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka nisur gjykimi ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në Gjykatë tashmë janë shfaqur pamjet e ditës kritike, ku dhe për herë të fundit shihet gjallë Liridona Ademaj.
Seanca herën e kaluar ka dështuar për shkak të problemeve teknike.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Naim Murseli ishte deklaruaar i pafajshëm, Granit Plava nuk ishte deklaruar, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk do të deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen. Fajtor është deklarua Tom Dodaj, i cili u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 janar 2025, ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin dakorduar që vrasja të kryhej nga Plava, me marrëveshje që Murseli t’i paguante 30 mijë euro.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 me një plumb në qafë në një zonë të fshehtë në fshatin Sinidoll të Prishtinës.
/Reporteri.net/