Kundërkandidati i Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, Zdravko Ponosh, ka reaguar ndaj show-it mediatik serb për rrëzimin e një droni komercial në Rashkë.
Abuzim të Ushtrisë Serbe për arsye politike, e vlerësoi Ponosh.
Ponosh, i cili ishte edhe ish-shef i Stafit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, tha për median serbe “Nova.rs” tha se Presidenti i Serbisë “pa pikë ndjenje” ngriti avionët ushtarakë për një dron komercial.
“Është abuzim i një sistemi të shtrenjtë dhe të rëndësishëm për arsye të politikave të përditshme”.
Mes tjerash, ai shtroi edhe pyetjen se a do të rrëzohej ai dron po të mos e kishte kërkuar Presidenti i Serbisë.
Siç vijoi të tregojë më tej ai, nëse një objekt ushtarak kërcënohet nga një dron, atëherë nuk informohet presidenti dhe nuk pritet që ai të urdhërojë diçka, por kërcënimi eliminohet, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Është e pakuptimtë të informohet publiku për një kërcënim të tillë, dhe është edhe më e pakuptimtë që kreu i një shteti të përdor aviacionet ushtarake kundër një droni komercial”.
Ponosh u shpreh i bindur se Vuçiçit një procedurë e tilllë nuk ia ka propozuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe, “por këshilltarët e tij për media”.
Më tej ai tha se një gjë e tillë e ngritjes së gatishmërisë ushtarake “kushton para” dhe është çështje serioze.
“Ushtria funksionon përmes procedurave dhe shumë pak gjëra zgjidhen duke pritur të ashtuquajturat urdhra të tilla deri në atë moment”.
Sipas tij, nëse çdo herë kërkohet ngritja e nivelit më të lartë të gatishmërisë, atëherë ushtria nuk do të ishte më edhe aq e dobishme./Reporteri.net/