Presidentja Justina Shiroka-Pula tha procesi i dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë kërkon vazhdimësi dhe hulumtim të mëtejshëm, në mënyrë që të përditësohet me çdo të dhënë dhe dëshmi të re.

Presidentja Shiroka-Pula këtë deklaratë e bëri në takim me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, me të cilin diskutoi për punën e Institutit, rezultatet e arritura dhe planet për të ardhmen.

“Presidentja Shiroka Pula vlerësoi punën e Institutit gjatë tri viteve nga themelimi, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe ruajtjes së kujtesës historike”, ”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Reklamë

Ajo vlerësoi veçanërisht publikimin e listës preliminare, e cila përfshin personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës.

“Presidentja Shiroka Pula riafirmoi gatishmërinë e Zyrës së Presidentes për të vënë në dispozicion kapacitetet dhe mundësitë e saj në mbështetje të punës së Institutit dhe avancimit të misionit të tij”, thuhet në njoftim.