×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkelet marrëveshja për targat, Serbia regjistroi vetura me targa ilegale edhe pas nëntorit

    Reporteri
    18 Janar 2023 | 23:42
    Ilustrim

    Serbia ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel për targat ilegale.

    Për këtë njoftoi Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai tha se në disa pika kufitare, Policia e Kosovës ka hasur në vetura të regjistruara me targa ilegale “KM” në dhjetor të vitit të kaluar, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ishte arritur një muaj më parë.

    “Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, deklaroi Sveçla në Facebook.

    Ministri Sveçla dha edhe një detaj tjetër të rëndësishëm, ku tha se këto dy vetura nuk janë lënë që të kalojnë në kufi, dhe as të tjerat nuk do të lejohen.

    “Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës.”

    “Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, potencoi Sveçla.

    Ujdia për targat ishte arritur më 23 nëntor të vitit të kaluar në një takim në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Ndërmjetës i takimit ishte emisari Miroslav Lajçak.

    Derisa informoi për marrëveshjen e arritur, Shefi i Diplomacisë së BE’së Josep Borrell, tha se kjo marrëveshje e arritur ishte bazuar në një parim bazë.

    “Tym i bardhë” në Bruksel, arrihet marrëveshja për targat

    Rrjedhimisht, Borrell kishte thënë se Serbia do të ndalojë së lëshuari targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, që i bie mos shqiptimi i gjobave.

    Sipas Sveçlës, Serbia nuk e mbajti premtimin për të cilin ishte zotuar.

    Kujtojmë se çështja e targave ishte një temë e gjatë diskutimi derisa përfundoi me marrëveshje. Kryeministri Kurti parimisht pati kategorizuar hyrjen në fuqi të ligjit për targat në disa shkallë, por që as ky vendim nuk ishte pritur mirë nga pala tjetër.

    Madje, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se para marrëveshjes për targat e veturave, që u arrit në Bruksel, kishte shenja të përgatitjes për konfrontime serioze. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!