×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Shpërthimi në Pejë, cak biznesi i familjes së Alban Dezdarit: “Kjo është nga Demë Elshani”

    Reporteri
    23 Janar 2025 | 15:43

    Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në hapësirat e biznesit të familjes Dezdari në Pejë.

    Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten në mesnatë në drejtim të lokalit që është pronë e familjes.

    Policia, në një njoftim zyrtar për rastin, tha se mjeti dyshohet të jetë granatë dore.

    “Sot rreth orës 02:05 minuta policia është informuar nga viktima se në rrugën ‘Besnik Lajqi’ në Pejë, në një lokal, dyshohet se persona të panjohur kanë gjuajtur një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, në objektin e tij”, njoftoi policia të enjten.

    Prona e sulmuar e familjes Dezdari ndodhet përgjatë rrugës ‘Besnik Lajqi’. Në lokalin përdhes të objektit ndodhet lokali, i cili është demoluar gati plotësisht, ndërsa një kat më lartë banojnë dy vëllezërit e familjes Dezdari, me bashkëshortet, nënën dhe katër fëmijët.

    Një nga anëtarët e familjes, të enjten, tha se është përpos lokalit, është demoluar edhe një veturë në pronësi të familjes.

    Alban Dezdari e ka akuzuar Demë Elshanin, anëtarin e familjes Elshani nga Peja, për porositjen e sulmit me mjet shpërthyes në biznesin e familjes së tij mesnatën e të enjtes.

    Dezdari, një i dënuar nga gjykata për rastin e vrasjes së dy policëve të UNMIK-ut më 2004, tha për Paparacin se motivi i sulmit është hakmarrja e Demë Elshanit ndaj vëllait të tij.

    Elshani është një person me të kaluar të dyshimtë kriminale, i cili ka vite që jeton jashtë Kosovës. Sipas raportimeve të fundit, i njëjti është përfshirë  edhe në një konflikt me familjen Buquku nga Peja, ndaj të cilës nipi i tij, Qëndrim Elshani ka dorëzuar një kallëzim penal në polici për kinse një borxh prej dy milionë eurove. Në vitin 2023 disa incidente të ndodhura në Pejë, dyshohet se kanë ndërlidhje me këtë konflikt.

    Edhe Alban Dezdari është përmendur në kallëzimin penal të Demë Elshanit ndaj familjes Buquku. Për arsye që ndërlidhen me këtë ngjarje, Alban Dezdari thotë se vëllai i tij, Kurbin Dezdari, ka pranuar në vazhdimësi kërcënime nga Qëndrim Elshani, nipi i Demë Elshanit.

    “Kam pasur vazhdimisht kërcënime. Vëllai im personalisht ai ka pasur, jo unë. [Kërcënimet] lidhen me një deklaratë për zbardhjen e një rasti që ka ndodhur në një biznes tjetër”, citohet se ka thënë Alban Dezdari.

    Ai ka thënë se vëllai i tij është kërcënuar direkt nga Demë Elshani.

    “Vëllain tim e ka kërcënuar personalisht Demë Elshani. Së pari e kanë thirrur për një deklaratë për zbardhjen e rastit të një biznesi tjetër, që ai [Elshani, v.j] e ka gjujtë një biznes tjetër”, ka thënë Alban Dezdari.

    Sipas Alban Dezdarit, Demë Elshani e ka porositur vëllain e tij që të tërhiqet nga deklarata dhe t’ia paguajë atij 50 mijë euro në formë gjobe.

    “Pastaj, e kanë thirrur gruan e vëllait në ora 3 të natës dhe i kanë dërgu mesazh: ‘Keni dëshmu familja juaj, keni më tërheq deklaratën në polici dhe keni me pagu 50 mijë euro gjobë’”, ka thënë Dezdari. “Ne nuk kemi reagu. Kemi qëndru në heshtje, e pastaj pas një jave ka ardhur Qëndrim Elshani, vet i dyti, i armatosur dhe e ka kërcënuar vëllain tim i ka thënë ‘A e ke marrë selamin prej Demës?’ dhe se ‘je i detyrum me tërheq deklaratën dhe me i pagu 50 mijë euro cash’”.

    Dezdari tha se këto incidente kanë ndodhur gjatë verës së vitit të kaluar. Tha se rastet janë të lajmëruara në polici.

    “Pastaj sërish pas një jave, Qëndrim Elshani vet i dyti e ka ndal makinën afër rrugës dhe i ka thënë vëllait ‘premtimin me majtë edhe sa ma shpejt me i bë paret, se përndryshe të pret më e keqja’ dhe ia ka qitë kallashin në fyt. Edhe këtë rast e kemi lajmëru në Polici”, ka thënë Dezdari.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!