×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqipëria, vendi me varfërinë më të madhe në rajon

    Reporteri
    08 Dhjetor 2021 | 11:47

    Në Shqipëri, në vitin 2020, që përkon me kulmin e pandemisë së Covid-19, një e treta e popullsisë apo 32.6%, konsiderohej e varfër, nga 31.8% një vit më herët. Për vitin 2021, niveli i varfërisë pritet të ulet lehtë në 30.8%.

    Shifrat janë bërë të ditura në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për ecurinë e vendit.

    “Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”, thotë FMN-ja në raport.

    FMN-ja e vlerëson treguesin bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, kur të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, të matur sipas standardit të barazisë së fuqisë blerëse (PPP).

    Pas Shqipërisë, Kosova është vendi i dytë më i varfër, por larg Shqipërisë me shifra.

    Sipas të dhënave, në vitin 2020, niveli i varfërisë në Kosovë u rrit në 23.4% nga 20.9% më 2019.

    Në Maqedoninë e Veriut, treguesi arriti në 18% (nga 16.9% më 2019), ndërsa në Mal të Zi u rrit ndjeshëm nga 14.5% në 20% më 2019. Më e ulët varfëria është në Serbi, në nivelin e 17.4%, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin para pandemik (17.3%).

    Të dhënat për Bosnjë-Hercegovinën nuk janë të përditësuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!