Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka shkuar sot në SPAK ku ka zhvilluar një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Brahon si dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Ketën.

Ai shihet në shoqërinë e kreut të SPAK, Klodian Braho, ndërsa realizojnë edhe foton e përbashkët tek hyrja e godinës.

Kreun e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Wendt e ka takuar edhe 5 ditë më parë.Ata diskutuan kryesisht për luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm.

Reklamë

Këto të fundit, siç i ka theksuar zyrtarisht vetë Ambasada, janë ndër përparësitë kryesore të Presidentit amerikan, Donald Trump.

Më herët, Wendt ka takuar edhe Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes, në kuadër të kontakteve të tij të para zyrtare në Shqipëri.

Në këto takime, vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë, mbrojtjes dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Një vend të rëndësishëm në agjendën e ambasadorit zë edhe SPAK-u, të cilin ai e ka vlerësuar si institucion kyç në luftën kundër korrupsionit, duke veçuar gjithashtu bashkëpunimin e strukturës me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.