Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin A.K, i akuzuar për vrasjen e dy personave Gramos dhe Lavdimir Kurtaj në fshatin Kurjan, ngjarje e ndodhur më 10 shtator 2024, pranë një lokali në pronësi të familjes Kurtaj.
Në të njëjtën çështje gjyqësore, gjykata ka dënuar me 27 dhe 30 vite burg edhe dy djemtë e tij, E.K dhe E.K, të cilët janë shpallur fajtorë për bashkëpunim në ngjarjen e rëndë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, konflikti dyshohet se ka nisur pas një përplasjeje fizike mes djemve të autorit dhe viktimave, ndërsa më pas është përshkallëzuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Dosja hetimore tregon se një automatik i modelit “56” është siguruar dhe më pas është përdorur gjatë ngjarjes, ndërsa rolet e secilit prej të pandehurve janë përcaktuar në mënyrë të detajuar nga hetimet.
Gjykata ka vlerësuar se veprimet e të pandehurve përbëjnë “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, të kryer në bashkëpunim”, si dhe vepra të tjera penale lidhur me armëmbajtjen pa leje.
Trupi gjykues përbëhej nga gjyqtarët Alfred Konomi (kryesues), Genci Busho dhe Vladimir Cjapi, ndërsa çështja është përfaqësuar nga prokurorët Eljon Mustafaj dhe Elona Gixhari.
Vendimi i gjykatës parashikon dënimin përfundimtar me burgim të përjetshëm për A.K, 27 vite burg për një nga djemtë e tij dhe 30 vite burg për djalin tjetër, ndërsa përfshin edhe dënime shtesë për vepra të tjera penale si mbajtja pa leje e armëve dhe plagosja e lehtë me dashje.
Vendimi është i apelueshëm në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga njoftimi./EuronewsAlbania/