Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me protestat dhe aktet e dhunës të regjistruara gjatë dy ditëve të fundit, duke bërë thirrje për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog.

Përmes një video-adresimi, Begaj tha se ka ndjekur protestat dhe kërkesat e qytetarëve, por edhe përplasjet e dhunshme, të cilat, sipas tij, dëmtojnë shoqërinë dhe cenojnë sigurinë e qytetarëve.

“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta vërë dhe as nuk mund ta vë askush në diskutim, por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja”, deklaroi Begaj.

Reklamë

Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë që dallimet politike dhe shoqërore të mos kthehen në përçarje, por të shërbejnë si nxitje për dialog dhe gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve.

Presidenti shqiptar u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve që të tregojnë maturi dhe të shmangin veprimet e dhunshme, duke paralajmëruar se tensionet nuk duhet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.

Begaj gjithashtu shprehu mbështetjen për forcat e rendit dhe u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, qofshin policë apo protestues.

Në fund, ai tha se mbetet i hapur për këdo që dëshiron të krijojë hapësirë për dialog dhe mirëkuptim, duke u bërë thirrje aktorëve të përfshirë që të angazhohen për bashkëpunim në të mirë të të rinjve dhe të Shqipërisë.

Reklamë