Mbi tetë orë protesta, përplasje të dhunshme me policinë, gaz lotsjellës, ujë me presion dhe dëmtime të ndërtesave publike kanë shënuar protestën e studentëve në Tiranë.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, të paktën 23 persona janë arrestuar gjatë incidenteve, ndërsa disa pjesëtarë të policisë dhe dy gazetare kanë mbetur të lënduara.

Protesta nisi të martën përpara Ministrisë së Arsimit, por tensionet u përshkallëzuan shpejt, duke u shtrirë më vonë edhe në zona të tjera të kryeqytetit shqiptar.

Reklamë

Që në minutat e para, një pjesë e protestuesve hodhën vezë drejt ndërtesës së ministrisë dhe shkruan me sprej në muret e saj.

Situata u përshkallëzua kur disa prej tyre shkulën kangjellat metalike dhe nxorën tulla nga trotuari, të cilat i hodhën drejt godinës, duke thyer xhamat.

Më pas, protestuesit kaluan përtej rrethimit të ministrisë dhe tentuan të hapnin me forcë derën e hekurt për të hyrë brenda.

Policia ndërhyri rreth një orë pas fillimit të tubimit, duke vendosur një kordon sigurie përpara ministrisë.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët përdorën në disa raste shkopinj gome, ndërsa nisën edhe shoqërimet e protestuesve.

Reklamë

Për të shpërndarë turmën, policia angazhoi disa autobotë me ujë me presion dhe përdori gaz lotsjellës.

Megjithatë, protestuesit u rigrumbulluan disa herë, duke vazhduar përplasjet me forcat e rendit.

Sipas Top Channel, drejt policëve u hodhën shashka dhe sende të forta, ndërsa disa protestues të maskuar improvizuan pengesa në rrugë.

Reklamë

Ata shkulën kangjella metalike nga trotuaret dhe i vendosën në rrugë, me qëllim pengimin e lëvizjes së autobotëve të policisë.

Përplasjet vazhduan edhe pasi një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt Sheshit “Skënderbej” dhe hyrjes së Rrugës së Durrësit.

Në këto zona u ndezën disa vatra zjarri, ndërsa gjatë incidenteve u shkatërrua edhe një biznes privat.

Situata u tensionua më tej kur një grup protestuesish sulmoi fizikisht një zyrtarepolicie.

Reklamë

Bilanci i incidenteve, sipas raportimeve nga mediat ameriakne, përfshin edhe lëndimin e dy gazetareve, të cilat po mbulonin zhvillimet, si dhe të disa pjesëtarëve të policisë.

Protesta nuk përfundoi përpara Ministrisë së Arsimit. Një pjesë e pjesëmarrësve u zhvendosën drejt komunës së Tiranës, ku ndodhën përplasje të tjera.