Nëna e Violand Bracellarit, i dyshuari për vrasjen e policit në Shqipëri, Enea Mekolli dhe plagosjen ekolegut të Edison Adri, ka folur për herë të parë duke dhënë versionin e saj për ngjarjen e rëndë të 4 qershorit.

Ajo ka deklaruar për mediat se ka qenë dëshmitare e ngjarjes dhe se, sipas saj, djali i saj nuk ka qëlluar i pari mbi policinë.

“Polici i ra më parë, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as dorëzohuni, as që ishin polic”, ka thënë ajo, duke përshkruar momentet e para të përplasjes.

Në dëshminë e saj, ajo ka folur edhe për jetën e të birit, duke thënë se ai nuk jetonte rregullisht me të dhe se, sipas saj, qëndronte i izoluar prej vitesh.

“Violandi me mua jo se rrinte, ishte i dënuar 10 vite. Nuk më rrinte këtu, vinte thjesht ndonjëherë të hante bukë. Jetonte në mal, vetëm në mal”, është shprehur ajo.

Ajo ka mohuar akuzat për përfshirje të tij në kultivim apo trafik droge, duke thënë se nuk ka pasur lidhje me lëndë narkotike dhe se akuzat janë të pavërteta.

“Asnjëherë nuk ka kultivuar hashash. Nuk ka djali të thotë nënës mbaj armë”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se djali i saj nuk ka qenë i armatosur në dijeninë e saj.

Duke folur për të kaluarën e tij me autoritetet, ajo ka thënë se i biri ka pasur konflikte me policinë dhe nuk ka pranuar të dorëzohet për shkak të dënimeve të mëparshme.

“Shumë herë i kam thënë të dorëzohet, por nuk pranonte. Thoshte: ‘të dënohem 10 vite për dy gramë hashash, nuk shkel në polici’”, ka thënë ajo.

E pyetur për raportimet se ai mund të ketë pasur bashkëpunim me policinë, ajo i ka mohuar këto zëra.

“Çfarë thua? Ata e kishin halë në sy. Kudo që dilte i bënin kontrolle”, është shprehur ajo.

Në fund, ajo ka shprehur dhimbje për humbjen e efektivit të policisë dhe ka thënë se ndjehet keq për familjen e tij.

“Më vjen shumë keq… edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im as polici”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se është e gatshme të takohet me të birin.

“Do e takoj se e kam djalë. Më dhimbset”, ka thënë ajo.