Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sërish pas përplasjeve të dhunshme të së enjtes, duke paralajmëruar se demonstrata të tjera mund të zhvillohen edhe gjatë ditëve në vijim.
Në njoftimin e publikuar, ambasada bën të ditur se protestat, të nisura në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, dhe të zhvilluara edhe në zonat përreth ndërtesave qeveritare, janë përshkallëzuar në dhunë.
Sipas njoftimit, gjatë protestave janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe është dëmtuar prona publike dhe private.
Ambasada paralajmëron se protestat mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke shkaktuar prani të shtuar të forcave të policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.
Për këtë arsye, personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar t’i shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe t’i japin përparësi sigurisë personale, duke përcjellë mediat lokale dhe duke zbatuar udhëzimet e autoriteteve vendore.
Në mesin e masave të rekomanduara janë shmangia e protestave, vëmendja ndaj mjedisit përreth, kufizimi i shpërqendrimeve në ambiente publike dhe mbajtja e një plani emergjence për t’u larguar nga zona në rast rreziku.
Ky është reagimi i radhës i Ambasadës Amerikane pas përshkallëzimit të situatës në kryeqytetin shqiptar, ku protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me dëmtime të pronës publike e private.
Të enjten ka patur raportime se protestuesit kanë sulmuar një bankë të nivelit të dytë, të vendosur përballë Ambasadës Amerikane, duke shkaktuar dëme materiale në ambientet e saj.
Menjëherë pas sulmit, është aktivizuar alarmi i bankës, i cili është dëgjuar në të gjithë zonën përreth.
Sipas Top Channel, pas dëmtimit të institucionit financiar, protestuesit kanë hedhur gurë edhe në drejtim të kabinës së rojeve të Ambasadës Amerikane. Gurët kanë goditur kabinën, e cila është pjesërisht e rrethuar me xham, ndërsa nuk raportohet se janë drejtuar drejt ambienteve të brendshme të ambasadës.
Në momentin e incidentit, kabina e rojeve ka qenë e zbrazët dhe nuk ka pasur persona brenda saj – thotë raportimi.
Njoftimi i plotë:
Demonstratat në Tiranë, të nisura në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, si dhe në zonën përreth ndërtesave qeveritare, janë përshkallëzuar në dhunë, duke përfshirë përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Demonstrata të tjera mund të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.
Protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth, duke sjellë prani të shtuar të forcave të policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.
Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata.
Ju lutemi të qëndroni vigjilentë dhe t’i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.
Masat që duhen marrë:
Rrisni masat e sigurisë personale duke ndjekur këto këshilla:
Shmangni demonstratat.
Jini të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në ambiente publike.
Ndiqni mediat lokale.
Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji për t’u larguar nga zona në rast rreziku.
Shmangni tërheqjen e vëmendjes dhe mbani një profil të ulët
