×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqiptarja në vendin ku ndodhi tornadoja në SHBA: Mu kujtua lufta në Kosovë

    Reporteri
    15 Dhjetor 2021 | 12:04

    Një mërgimtare nga Kosova ka përjetuar nga afër tornadot masive që ndodhën ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ganimete Ademi që përjetoi nga afër tornadon, në lagjen e saj në Bowling Green në Kentucky, ka thënë se ajo ia kujtoi luftën e Kosovës.

    Në një shkrim në “LA Times”, për një rrugë të vetme në të cilën tornado mori jetën e shtatë fëmijëve, Ademi ka thënë i janë kthyer kujtimet e para 22-vjetëve.

    “Kemi ardhur nga lufta. Kjo na kujton – na prek memorien tonë, se ku ishim e si erdhëm këtu”, ka thënë 46-vjeçarja që shkoi në SHBA nga Kosova gjatë kohës së luftës më 1999. “Tani mu kujtua gjithçka që ndodhi para 22-vjetësh”, ka shtuar Ademi, që kishte humbur dy familjarë të afërt në luftë.

    Lagja në të cilën është Ademi përbëhet nga banorë me prejardhje prej gjithë botës. Afër Ademit është një familje nga Bosnja që ka humbur pesë anëtarë. Një tjetër familje humbi gjashtë anëtarë. Ndërsa në lagje pati edhe viktima të tjera.

    Një degë e një peme fluturoi si raketë dhe përfundoi në oborrin e pasmë të shtëpisë së Ademit. Ajo ka thënë se bashkë me katër fëmijët dhe dy nipat kanë shpëtuar për fije peri.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka shpallur gjendje katastrofe në Kentucky, vendi më i goditur nga tornadot. Vetëm në këtë shtet kanë vdekur më shumë se 70 persona, ndërsa janë zhdukur dhjetëra të tjerë. Tornadot janë përshkruar si një nga katastrofat më të rënda në histori të shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!