Një nga projektet më të bujshme infrastrukturore në komunën e Istogut, ai për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës dhe Parkut në Vrellë, ka përfunduar në qendër të një vorbulle dyshimesh serioze dhe akuzash të rënda. Me vlerë mbi 593 mijë euro, ky investim tashmë është kthyer në një mollë sherri, pasi procedura e tij është bllokuar për më shumë se 300 ditë, ndërsa një dokument kyç financiar, i njohur si DNPDF/B04, po dyshohet se është “zhdukur”, pa lënë gjurmë.

Dega e Partisë së Aleancës në Istog ka lëshuar një reagim të ashpër publik, duke e cilësuar situatën si “alarmuese” dhe duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të organeve të drejtësisë. Sipas tyre, operatori ekonomik i dëmtuar tashmë ka dorëzuar një kallëzim penal lidhur me këtë rast.

“Paratë publike nuk janë pronë e pushtetit dhe zhvillimi i turizmit nuk mund të mbetet vetëm slogan elektoral!”

Reklamë

Po ashtu, Aleanca ka kritikuar qeverisjen e komunës së Istogut, duke thënë se nuk i kanë mbajtur premtimet dhe se investimet komunale nuk po japin rezultate për zhvillim.

“Qytetarët po shohin gjithnjë e më shumë premtime të pambajtura, projekte të zvarritura dhe investime që nuk po përkthehen në zhvillim konkret. Në vend të rezultateve, sot kemi tenderë të bllokuar, procedura të kontestuara dhe pyetje serioze që kërkojnë përgjigje.”

Ndërkaq, Aleanca ka kërkuar llogaridhënie institucionale.

“Kur bëhet fjalë për qindra mijëra euro të qytetarëve, çdo vonesë, çdo dokument i humbur dhe çdo vendimmarrje duhet të ketë përgjegjësin e vet. Nuk po paragjykojmë përgjegjësinë e askujt, por as nuk do të lejojmë që dyshimet serioze të fshihen pas arsyetimeve administrative.”

Aleanca kërkon që organet kompetente të hetojnë deri në fund nëse në këtë proces ka pasur shkelje ligjore, keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi apo keqpërdorim të parasë publike. Nëse ligji është shkelur, “përgjegjësit duhet të japin llogari!”.

Reklamë