×
  • Lajme
  • Lajme

    Sokol Haliti: LDK do të jetë e para, kurdo që mbahen zgjedhjet

    Reporteri
    01 Maj 2022 | 21:12

    Autor: Blendi Gashi


    Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka themeluar Ekipin Politik për mërgatë, duke ngarkuar kështu katër zyrtarë për ta ringjallur këtë parti në diasporë. Zyrtarët e ngarkuar janë: Anton Quni, nënkryetar i LDK, Sokol Haliti, anëtar i Kryesisë, Armend Zemaj, deputet dhe anëtar i Kryesisë dhe Shkumbin Gashi, koordinator teknik.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka realizuar një intervistë me Sokol Halitin, një nga zyrtarët e këtij ekipi, i cili tregon se kur do të nisin takimet dhe në cilin shtet.

    Haliti, tregon poashtu sa po shtrihet LDK brenda vendit, sa është e gatshme për zgjedhje të reja, ndërsa flet edhe për Qeverinë Kurti dhe për punët që pret t’i realizojë në komunën e Vitisë, qytet të cilin e udhëheq qe disa mandate.

    Lexoni intervistën e plotë me Sokol Halitin, anëtar i Kryesisë së LDK-së, dhe kryetar i komunës së Vitisë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

    LDK ju ka caktuar dhe ju një ndër zyrtarët e partisë që të rritni subjektin tuaj në disaporë. Kur pritni të nisni takimet me mërgimtarët dhe cilat janë shtetet e para që pritni të shkoni?

    Po LDK ka ngarkuar katër zyrtarë që do të jenë përgjegjës për organizimet e përbashkëta mobilizuese e të vizitave të LDK-së në mërgatë, ku dhe unë jam njëri prej tyre.

    Agjenda e parë do të jetë Zvicra dhe takimet atje me bashkatdhetarët tanë. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i partisë Lumir Abidixhiku në shënimin e 32 vjetorit të themelimit te LDK-së për Zvicër.

    A po e “kopjoni” PDK-në pasi edhe ajo është aktivizuar për t’u shtrirë sa më shumë në diasporë?

    LDK është partia më aktive në Kosovë dhe se kopjon askënd, por ka origjinalitetin e funksionimit te vet si mbrenda ashtu edhe jashtë vendit.

    Ku është LDK sot? Sa aktive është në teren brenda Kosovës?

    Mbajtja e Konventës para dy ditëve ka treguar që LDK është parti në rritje dhe në rikthimin e madh të saj.

    Puna për programin e ri qeverisës që ka filluar e tregon seriozitetin dhe qasjen serioze karshi situatave që po kalojmë, andaj aktivizmin opozitar dhe opozitarizmin e vet e ka filluar fuqishëm me program dhe organizime politike krejtësisht alternative qe njëkohësisht ofrojnë zgjidhje për problemet e mëdha që janë grumbulluar në Kosovë.

    E vetmja shpresë dalëse nga kjo krizë është ardhja e LDK-së në qeverisje me program dhe kuadro kompetente dhe koherente.

    LDK është  shumë aktive dhe prezent në gjithë territorin e Kosovës dhe jashtë saj.

    Nëse mbahen zgjedhjet sivjet apo vitin tjetër ku e shihni LDK-në?

    Nëse mbahen zgjedhjet së shpejti, LDK do të jetë e para, ashtu siç ishte edhe në zgjedhjet e fundit lokale, pa u marrë për bazë rezultati aksidental i zgjedhjeve të kaluara qendrore.

    Realiteti politik ka ndryshuar shumë dhe programi i ri qeverisës i LDK-së është në kompletim e sipër dhe se shumë më shumë do të jetë më i avancuar dhe më premtues si zgjidhje alternative dhe e vetme e daljes nga kriza që e ka kapluar vendin, drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike.

    Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti?

    Mungesa e zhvillimit ekonomik, mos integrimi i vendit në instancat ndërkombëtare, ikja e rinisë nga vendi, mos liberalizimi i vizave, mos vazhdimi i njohjeve, politikat e dështuara fiskale, gabimet me Agrokompleksin e Kosovës dhe mungesa e politikave inkurajuese zhvillimore në shfrytëzimin e potencialeve agroekonomike janë disa nga punët që ka dështuar Qeveria Kurti.

    Për fund, si po ec ky mandat si kryetar i Vitisë, çfarë projekte po realizoni dhe cilat janë punët e radhës që synoni t’i realizoni?

    Mandati i ri qeverisës në komunën e Vitisë ka filluar me plot projekte ndërkombëtare dhe me grante të performancës.

    Gjithashtu me memorandume të reja, që e bëjnë Vitinë prijetare sa i përket bashkëpunimit në sferën e efiçiencës së energjisë në kuadër të projekteve me MCC-në amerikane, projektet të strategjisë 2030 që jemi komuna e parë që i kemi filluar këto bashkëpunime dhe projekte të kësaj strategjie ku kemi projekte ambientale, bujqësore, efiçiencë energjie, plan mobiliteti.

    Po punojmë në përfundimin e Zonës ekonomike, inkubator biznesi, qendrën inovative për bujqësi, lidhjen e fshatrave midis tyre dhe në grykën e lumit”Morava e Binçës si vend Ekoturistik. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!