Sot në Prishtinë promovohet libri më i ri i gazetarit investigativ Visar Duriqi, “Mësuesi që u bë vrasës”, një botim që trajton një nga historitë më të bujshme dhe të debatueshme të pasluftës në Kosovë – rrëfimin e Nazim Bllacës.

Përmes këtij libri, Duriqi sjell një pasqyrë të detajuar të deklaratave që dikur tronditën opinionin publik, si dhe proceseve gjyqësore që pasuan dëshmitë e Bllacës, duke rihapur diskutimin mbi rolin e tij në ngjarjet e asaj kohe.

Libri trajton transformimin e Bllacës nga një mësues në një figurë të përfshirë në rrjete të dyshuara të spiunazhit dhe vrasjeve politike, duke ngritur njëkohësisht dilema mbi motivet dhe besueshmërinë e rrëfimeve të tij: a ishte ai një dëshmitar i penduar apo një aktor që ndikoi rrjedhën e drejtësisë?

Reklamë

Në fokus janë edhe dëshmi dhe detaje nga dosje që, sipas autorit, hedhin dritë mbi ngjarje të pazbardhura dhe rikthejnë në vëmendje plagë të vjetra të shoqërisë kosovare.

Libri tashmë gjendet në shitje në Librarinë Artini në Prishtinë, ndërsa pritet të jetë i disponueshëm edhe në libraritë e tjera kryesore në ditët në vijim.