Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në orën 09:30, mbahet seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Rasti ka të bëjë me pretendime serioze të Prokurorisë Speciale për përfshirjen e Shehollit në veprime që, sipas aktakuzës, kanë pasur për qëllim ndërhyrjen në proceset zgjedhor e në Kosovë, bashkëpunimin me një shërbim të huaj informativ dhe ushtrimin e presionit ndaj një biznesmeni.
Sipas aktakuzës, Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë – BIA, i kishte dhënë Shehollit 5 mijë euro dhe materiale audio, me qëllim të ndikimit në zgjedhjet lokale te komuniteti serb në Kosovë.
Prokuroria pretendon se, pak ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Sheholli kishte marrë materiale që përmbanin biseda audio dhe transkriptime të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të udhëhequr nga Nenad Rashiq.
Sipas aktakuzës, qëllimi ishte që këto materiale të publikoheshin në mediat kosovare për të diskredituar zyrtarët dhe institucionet e Kosovës dhe për të ndikuar në procesin zgjedhor.
Në dokumentin akuzues thuhet se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit dhe analistit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë eurosh, duke e udhëzuar edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte thënë Zekës se materialet i kishte siguruar nga Agjencia Gjermane për Zhvillim – GIZ.
“Top Sekret 2” dhe pretendimet për radikalizimin islamik
Një tjetër element i rëndësishëm i aktakuzës është një fotografi e gjetur në telefonin e Shehollit, me mbishkrimin “Top Sekret 2”.
Sipas Prokurorisë, dokumenti përmban një plan veprimi që synonte krijimin e perceptimit se Kosova është një shtet i radikalizuar dhe ekstremist.
Në aktakuzë pretendohet se dokumenti parashihte mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd dhe investimin e tyre në ndërtimin e xhamive në vende të dukshme, ndërsa synimi i deklaruar në dokument, sipas Prokurorisë, ishte krijimi i një atmosfere pasigurie dhe largimi i një pjese të të rinjve nga Kosova.
Prokuroria pretendon se përmes këtij plani synohej edhe ndryshimi i qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe krijimi i kushteve që vendi të kthehej nën juridiksionin e Serbisë.
“Leptiri” dhe Albin Kurti
Në telefonin e Shehollit, sipas aktakuzës, është gjetur edhe një dokument i titulluar “Leptiri”.
Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për një dokument të hartuar nga struktura e Sigurimit Shtetëror të Serbisë – RDB, në vitin 2001, i cili përshkruante një plan për komprometimin dhe rekrutimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.
Sipas përshkrimit të Prokurorisë, në këtë plan parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, për sigurimin e materialeve komprometuese ndaj Kurtit dhe ushtrimin e presionit ndaj tij me qëllim të bashkëpunimit me RDB-në.
Akuza për shantazh ndaj një biznesmeni
Përveç akuzës për spiunazh, Prokuroria Speciale e ngarkon Shehollin edhe me veprën penale të shantazhit.
Sipas aktakuzës, Sheholli kishte poseduar video-incizime të një biznesmeni kosovar dhe, duke përdorur këto materiale, dyshohet se i kishte kërkuar atij para në një shumë që kalonte 13 mijë euro.
Prokuroria thotë se për rastin posedon fotografi, incizime dhe prova të tjera të siguruara edhe përmes masave të veçanta hetimore, përfshirë monitorimin dhe përgjimin.
Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025 dhe, sipas raportimeve të publikuara, që atëherë ndodhet në paraburgim.
Ai ka punuar si gazetar, këshilltar në Komunën e Graçanicës dhe në Ministrinë për Kthim. Gjithashtu ka drejtuar një organizatë joqeveritare dhe ka pasur paraqitje të shumta në media si analist politik.
Seanca e sotme pritet të jetë një nga hapat e parë të procesit gjyqësor, ndërsa gjykata do të shqyrtojë çështjet procedurale dhe qëndrimet e palëve lidhur me aktakuzën.
Të gjitha pretendimet e përmendura në këtë tekst janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Është publikuar videoja që tregon momentin e arrestimit të dy personave në qendrën tregtare “Prishtina Mall”, pas incidentit ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Në pamjet e publikuara nga televizioni Kanal 10 shihet momenti kur zyrtarët policorë ndërhyjnë dhe prangosin dy personat e dyshuar.
Bëhet fjalë për një 16-vjeçar dhe një person mbi 20-vjeç, të cilët raportohet se janë djem të një zyrtari policor të Kosovës me mbiemrin Aliu.
Gruaja e policit Aliu ka konfirmuar për Kallxo.com arrestimin e djemve të saj dhe ka treguar se ajo ishte dëshmitare e ngjarjes.
Incidenti ka ndodhur në parkingun e “Prishtina Mall”, ndërsa rrethanat e plota të rastit janë ende duke u hetuar.
Reporteri.net ka pyetur Policinë e Kosovës për rastin në fjalë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Dy persona janë prangosur sot, në një qendër tregtare pas një incidenti ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Dy personat e arrestuar, njëri 16 dhe tjetri mbi 20-vjeç, janë djem të një polici të Kosovës me mbiemrin Aliu, ndërsa incidenti lidhet me një parking në qendrën tregtare “Prishtina Mall”.
Sipas informacioneve të siguruara nga nëna e dy të arrestuarave kapiteni Ahmeti në kohën kur ka ndodhur incidenti ishte me gruan e tij dhe me fëmijët.
Gruaja e policit Aliu ka konfirmuar për Kallxo.com arrestimin e djemve të saj dhe ka treguar se ajo ishte dëshmitare e ngjarjes.
Sipas saj ngjarja ka nisur për një vendparking ndërsa ka eskaluar kur kanë nisur të shara.
Aliu ka rrëfyer se fillimisht është arrestuar djali i madh e më pas edhe djali tjetër i mitur.
Në ndërkohë në stacionin e Graçanicës Aliu ka rrëfyer se janë ftuar një togë e Njësisë Speciale dhe ata kanë ushtruar dhunë fizike brenda stacionit ndaj djalit të madh të saj.