×
  • Lajme
  • Lajme / "Pablo Escobar i rajonit"

    Sveçla publikon videon, brenda viles së Milan Radoiçiqit buzë Ujmanit që iu bastis sot

    Reporteri
    29 Shtator 2023 | 14:24

    Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka publikuar një video nga aksioni i bastisjes në pronat e Milan Radoiçiqit.

    “Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund. Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radoiçiqit, në vilën e tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën ‘Mami’”, ka njoftuar Sveçla.

    Ai ka thënë se është dëshmuar lidhja e Radoiçiqit me sulmin në Banjskë dhe e ka krahasuar atë me Pablo Escobarin.

    “Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radoiçiq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë ‘luftëtar lirie’ por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”, ka shkruar Sveçla.

    Pablo Escobar vlerësohet si trafikanti më i madh në botë i kokainës dhe një nga kriminelët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit.

    Sot, Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

    “Unë Milan Radoiçiq, për shkak të spekulimeve të shumta që kanë dalë informoj tërë publikun se bashkë me bashkëpunëtorët e mi nga Kosova më 24 shtator kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte ta shtyjmë popullin tonë në rezistencë ndaj terrorit të Kurtit, ta mbrojmë popullin tonë që po nënshtrohet atij terrori për çdo ditë dhe krijimin e kushteve për lirimin e popullit tonë në veri të Kosovës. I njoftoj të gjithë, nga Kurti deri te ndihmësit e tij ndërkombëtare se personalisht jam pajisur  me pajisjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë nga okupatori dhe qëllimi im nuk kishte kurrfarë qëllimi tjetër dhe nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin tim politik paraprak”, ka thënë ndër të tjera në letrën e tij”, ka thënë avokati.

    Milan Radoiçiq pranon se mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!