Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se Qeveria nuk po ia bart përgjegjësinë vetëm Prokurorisë për dështimet në rastin e Arlinda Zekajt, duke theksuar se Inspektorati Policor i Kosovës ka identifikuar shkelje në Policinë e Kosovës, për të cilat tashmë janë ndërmarrë masa.

I pyetur nëse Qeveria ka dështuar në trajtimin e rastit që përfundoi me vrasjen e 49-vjeçares në Vitomiricë të Pejës, Sveçla tha se kryeministri Albin Kurti ka kërkuar raporte nga dy ministri për të shqyrtuar të gjithë procesin.

“Si po mendon Qeveria? Kush Qeveria? IPK ka qeneë e prtfshirë në hetim. Raporti i IPK ka gjetur shkelje e dpshtime.  A më tregon cila është përgjegjësia direkte?”, tha ai.

Reklamë

Ministri i Punëve të Brendshme tha se që nga momenti kur ishte informuar për rastin, kishte kërkuar nga Inspektorati Policor të fillonte inspektimin.

Ai theksoi se raporti i IPK-së ka evidentuar shkelje dhe dështime në Policinë e Kosovës, ndërsa përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve policorë, sipas tij, do të identifikohen përmes hetimeve.

Sveçla tha se në varësi të përgjegjësisë, ndaj zyrtarëve mund të ketë ndjekje penale ose masa administrative.

Ai shtoi se nuk pajtohet domosdoshmërisht me të gjitha kërkesat e protestuesve, ndonëse tha se qëndron me ta për motivin e protestave.

Sa i përket përgjegjësisë së Qeverisë, Sveçla tha se Policia administrohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe se shkeljet e evidentuara nga IPK-ja po adresohen.

Reklamë

Në fund, ai kërkoi mobilizim të të gjithë shoqërisë dhe institucioneve për të parandaluar raste të ngjashme.