Shtensionimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe ka qenë për shumë vite synimi strategjik i ShBA-së e NATO-s, vlerësoi analisti politik, Agon Maliqi, transmeton “Reporteri.net”.
Këtë synim amerikan, Maliqi e interpretoi mbi atë se në rajon shqiptarët dhe serbët janë dy popujt më të mëdhenj në rajon.
Kjo, për Maliqin, “si çelësi kryesor i paqes në të gjithë rajonin dhe integrimin e tij në BE/NATO”.
Në kontradiksion me këtë, Maliqi e lexon synimin strategjik rus në rajon.
“Synimi strategjik i Rusisë ka qenë dhe mbetet mbajtja gjallë dhe thellimi i armiqësisë shqiptaro-serbe, si mënyra më e mirë për ta mbajtur peng Serbinë dhe gjithë rajonin larg BE/NATO”, shkroi njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi.
Por, thotë ai, “interesave të Rusisë në rajon nuk i ka shërbyer vetëm kryeneçësia hegjemonike e Serbisë dhe qasja e saj instinktive pro-ruse”.
“Asaj i ka shërbyer (me ose pa vetëdije) edhe paaftësia e jonë për ta lexuar kontekstin gjeopolitik dhe për ta definuar interesin strategjik përtej kornizave të ngushta të armiqësisë historike”, përfundoi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, së fundi ka qenë më i zëshmi në mbështetjen e inicativës rajonale të “Open Balkan”/Reporteri.net/.