×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri pas vendimit të Kushtetueses: Pushteti aktual sot mori goditjen meritore nga Gjykata

    Reporteri
    15 Dhjetor 2021 | 16:00

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar si të jashtëligjshëm shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

    Kushtetuesja e ka vlerësuar të pranueshme kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe 10 deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi, që ishte marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 30 qershor 2021.

    Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tha se përpjekja e pushtetit aktual për shkatërrimin e institucioneve të pavarura, në mënyrë që t’i konvertojnë ato në instrumente politike në shërbim të tyre dhe familjarëve të tyre, sot ka marrë goditjen meritore nga Gjykata Kushtetuese.

    Kushtetuesja shfuqizon vendimin për shkarkim të anëtarëve të KPMSHCK-së

    “Afër gjashtë muaj më parë, ne paralajmëruam mazhorancën e Kuvendit se shkarkimi i jashtëligjshëm i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ishte kundër kushtetues, si dhe një përpjekje e hapur për të ndërhyrë politikisht në mënyrë brutale, në një institucion të pavarur e të bazuar shumë qartë në ligj. Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri”, shkroi Tahiri në Facebook.

    “E ritheksoj se, kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj”, ka thënë Tahiri në faqen e tij në Facebook.

    Ai shtoi se Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre.

    “Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës. Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e pa lëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit”, tha Tahiri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!