×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Serbët në veri po marrin frymë lirshëm pasi Veselinoviqi dhe Radoiçiqi u shpallën “non-grata”

    Reporteri
    10 Dhjetor 2021 | 12:29

    Ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se serbët në veri janë duke marrë frymë lirshëm prej kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur ‘non grata’ Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.

    “Shpallja ‘persona non-grata’ nga SHBA të dy personave famëkeq Veselinoviq e Radojçiq do të bëjë që qytetarët tanë serbë në veri të Kosovës të marrin frymë më lirshëm”, shkroi ajo.

    Pushteti i tyre joformal, shkroi Tahiri, “i lidhur me Vuçiqin që ka mbajtur peng veriun do zhbëhet!”.

    Departamenti i Thesarit të SHBA-së i ka futur në listë të sanksioneve, ndër të tjerë, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqin, si dhe Srgjan Vuloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin dhe Radulle Steviqin.

    Sipas vendimit që u bë i ditur të mërkurën (8 dhjetor), këta persona janë identifikuar si të lidhur me skema të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!