Autor: Xhezair Dashi


Episodi i ri i serisë së gjatë të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të fillojë më 21 nëntor – me kalimin nga fletqortimet në fletgjobitje për veturat e pakonvertuara në targa RKS në pjesën veriore të vendit.

Tashmë është konfirmuar takim i Nivelit të Lartë në Bruksel, mëngjesin e 21 nëntorit.

Reklamë

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, është shprehur kategorik se s’mund të vijë 21 nëntori pa marrëveshje. Shtyrja e zbatimit të vendimit për targat dhe kthimi i serbëve në institucione, përbëjnë boshtin e kërkesave të BE’së; dhe të ShBA’së.

Seria shumëepisodëshe vetëm sa paraqet krizë të replikuar.

Për Kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko ka një shpjegim se pse gjërat janë siç janë. “Serbia nuk dëshiron marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve”, thotë ajo në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

Qasja perëndimore ndaj Serbisë, sipas Biserkos, është qasje “e të marrit me të mirë”. Kjo për arsye që “të fitohet Serbia për opsionin euroatlantik”.

“Vetëm po ua kujtoj se që nga sot [kanali televiziv, transmetimi i të cilit është ndaluar në BE] Russia Today do të fillojë operimin në Beograd”, tregon Sonja Biserko.

Reklamë

“Komuniteti politik perëndimor ende po provon ta marrë me të mirë Beogradin duke shpresuar që ta fitojë në opsionin euroatlantik dhe në këtë aspekt është Kosova ajo të cilës i bëhet presion për t’u dorëzuar, do të thotë, të shtyejë vendimin për targat”.

Për Sonja Biserko, kjo qasje e perëndimit “është e gabuar”.

ShBA dhe BE kanë kërkuar nga Kosova një afat prej dhjetëmuajsh për zbatimin e vendimit për targat, në mënyrë që kjo periudhë kohore të shfrytëzohet për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë në dritën e të ashtuquajturit plan franko-gjerman.

Por, ky plan, sipas Kryeministrit të Kosovës, është refuzuar nga Serbia, ndonëse Josep Borell e ka mohuar këtë në një konferencë për shtyp.

Reklamë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se planit franko-gjerman, i është përgjigjur me një non-paper të tij.

Çështja e targave u bë brum për argument në Beograd, dhe për, disa thonë, instrumentalizimin e serbëve lokalë të Kosovës, për t’u tërhequr nga institucionete Kosovës.

Zv/kryeministri kosovar, Besnik Bislimi, ditë më parë është shprehur se për çështjen e targave Brukselit ua ka dërguar rreth 20 modalitete. Sipas tij, të gjitha këto modalitete, ofrojnë zgjidhje, dhe ata duhet vetëm t’i zgjedhin./Reporteri.net/