×
  • Lajme
  • Lajme / Lipjan

    Të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian trajnohen mbi luftimin e propagandës përmes Edukimit Medial

    Reporteri
    18 Dhjetor 2023 | 12:09

    27 të rinj të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, gjatë vikendit morën pjesë në trajnimin për edukim medial, i cili ka synim identifikimin dhe luftimin e dezinformimit dhe propagandës – projekt i mbështetur me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për gazetën online Reporteri.net. Nga 27 pjesëmarrësit nga Lipjani dhe Fushë Kosova, rreth 40% ishin vajza.

    Të ndara në pesë module trajnimi, trajnerët ligjëruan në teori dhe në praktikë modulet për: mendimin kritik; identifikimin e burimeve të besueshme të informacionit; verifikimin e fakteve; etikën e mediave dhe sigurinë online.

    Trajnerët e këtyre moduleve ishin: Aurora Popova nga Debate Center; Erjonë Popova – profesioniste e medias; Selamir Qerimi, gazetar i T7; Bekim Kabashi nga Reporteri.net (gazetar dhe drejtor i mediumit); dhe Lavdim Hamidi nga Front Online (kryeredaktor i mediumit).

    “Duke qenë se vet jam pjesëtar i komunitetit Ashkali, e di shumë mirë që shumica prej tyre nuk është që kanë shumë informacione mbi atë së çka u servohet. Po mendoj që është shumë e rëndësishme që të rinjtë e komuniteve Rom, Ashakli dhe Egjiptin me u vetëdijesu dhe me pas sa më shumë trajnime të tilla”, u shpreh gazetari Selamir Qerimi pas trajnimit.

    Sikurse trajneri Qerimi për rëndësinë dhe nevojën e trajnimeve të tilla për të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, theksuan edhe vetë pjesëmarrësit në trajnim.

    “Ky ishte një lloj i trajnimeve që ka munguar tek të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ne e kemi mirëpritë shumë, dhe shpresojmë që aktivitete dhe trajnime të tilla të vazhdojnë. Na ka ndihmu shumë ky trajnim që t’i identifikojmë lajmet e rrejshme”, tha Ardian Krasniqi, pjesëmarrës në trajnim.

    “Absolutisht pas këtij trajnimi mund ta identifikojë me lehtë se cili është një lajm i rremë apo i vertetë”, tha Besart Arifi pasi mori pjesë në trajnimin “Luftimi i propagandës përmes Edukimit Medial për Komunitetet Rom, Ashakli dhe Egjiptian.

    Trajnimi i parë mbi luftimin e propagandës përmes edukimit medial u organizua në Lipjan, me të rijnë pjesëmarrës nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian nga Lipjani dhe Fushë Kosova.

    Ky projekt financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C), dhe implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.

    Trajnime të ngjashme do të organizohen edhe në katër komuna tjera.

    Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.

       

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!