×
  • Lajme
  • Lajme

    Telekomi i merr me qira zyrat nga “dosti” i Hysen Durmishit, për to do të paguhen rreth 190 mijë Euro në vit

    Reporteri
    10 Korrik 2023 | 13:43

    Biznesmeni Bujar Shabani ia ka parë hairin ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, subjektit të cilit i takon miku i tij, Hysen Durmishi.

    Ai do të arkëtojë rreth 190 mijë euro në vit nga Telekomi i Kosovës – meqë i lëshoi kësaj ndërmarrjeje që menaxhohet nga Qeveria (LVV) – një objekt të tijin me qira, raporton sot Front Online.

    Prona e tij dy katëshe në sheshin “Zahir Pajaziti” u përzgjodh para disa jave si më e mira e mundshme për nevojat e kompanisë së telekomunikacionit, ani se zyrtarët e Telekomit pranuan edhe katër oferta tjera për lokacione.

    Pronësia e objektit në emër të Bujar Shabanit është konfirmuar nga Zyra për Medie e Telekomit.

    “Pronar i objektit është kompania NPSH Bageri”, thanë shkurt nga Telekomi.

    “Bageri” është në pronësi të biznesmenit Bujar Shabani. Kompania “Bageri” merr në vazhdimësi tenderë nga shteti.

    “Qiraja për këtë objekt është 15,560.66€/muaj (në këtë shumë përfshihet TVSH 18% dhe tatimi në qira 9%)”, kanë treguar nga Telekomi për “Front Online”.

    Bujar Shabani ia doli të rrëmbejë paratë e qirasë se Telekomit, ani se përballej edhe me katër garues të tjerë që ofronin shërbim të ngjashëm.

    Anëtarët e bordit të Telekomit kanë afërsi me Vetëvendosjen, partinë që i solli në këto pozita drejtuese të ndërmarrjes.

    “Telekomi i Kosovës ka marrë disa oferta (gjithsej 5) për lokacione të ndryshme dhe objekti në fjalë është vlerësuar nga komisioni i ngritur për këtë rast si më i përshtatshmi, për shkak të pozitës strategjike të objektit dhe çmimit të favorshëm (konkurues)”, vlerësuan nga Telekomi.

    Afërsinë e zëvendësministrit të Infrastrukturës me Bujar Shabanin e kishte pohuar disa muaj më parë Valdrin Shabani, djali i pronarit të kompanisë ‘Bageri’.

    Ai i kishte thënë portalit ‘Kallxo.com’ se Durmishi – i cili ishte parë në punimet e realizuara nga ‘Bageri’ para disa vitesh – nuk ishte paguar nga kompania, vetëm kishte ‘dhënë ndonjë këshill’.

    “Jo, asnjëherë nuk është paguar. Ai vetëm ka qenë shok i babit (Bujar Shabani), ka ardhë ka nejt për qef najher e kështu. Ka dhanë ndonjë këshill në menaxhim e këso, se kështu nuk ka pas asnjëherë asgjë. Kafe ka ardhë ka pi e këso senesh”, kishte thënë Valdrin Shabani.

    Pronari i kompanive Bageri ka telashe me ligjin. Mbi të rëndon akuza për “keqpërdorim dhe në një prokurim publik” një tender rreth 4 milionë eurosh për zgjerimin e rrugëve të fshatit Bibaj dhe kyçjen e saj në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Sipas aktakuzës së themeluar më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli publike në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit gjatë një oferte për dhënien e kontratave të prokurimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!