×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: BE na mashtroi për vizat, këtë ia thashë edhe Merkelit dhe Macronit

    Reporteri
    01 Maj 2019 | 11:42

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur edhe një herë për Samitin e Berlinit.


    Thaçi ka thënë se ka qenë inkurajues angazhimi i Kancelares Merkel dhe presidentit Macron për t’u ndryshuar gjendja aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mirëpo sipas tij nga ky takim nuk ka lindur asnjë ide e re sa i përket zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, shkuan Reporteri.net.

    Sipas tij perspektiva evropiane për Kosovën për fat të keq ende mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët, pa asgjë konkrete nga BE.

    “E kam theksuar se perspektiva evropiane për Kosovën për fat të keq ende mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët pa asgjë konkrete nga BE. Realiteti i sotëm në Ballkanin Perëndimor nuk përputhet aspak me pritjet tona dhe ndoshta as ato të BE-së përkundur se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 i ka dhënë fund shpërbërjes së plotë të Jugosllavisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë”, është shprehur Thaçi.

    Thaçi ndër të tjera ka thënë se edhe 20 vite pas luftës Serbia vazhdon të cenojë Kosovën dhe të sillet në mënyrë joevropiane, mirëpo sipas tij BE vazhdon edhe më tutje të heshtë rreth kësaj çështje.

    “Të gjithë jemi dëshmitarë se edhe 20 vite pas luftës Serbia vazhdon të cenojë Kosovën dhe të sillet në mënyrë joevropiane. Dhe ka vite që BE vazhdon të heshtë ndaj kësaj sjellje. Kjo ka bërë që të kemi edhe një ngrirje të njohjeve për Kosovën edhe nga pesë vendet e tjera të BE-së. Kjo situatë ka krijuar rrethana të pavolitshme për njohjen e Kosovës edhe nga të gjitha vendet e BE-së. Dialogu i filluar më 2011 përkundër rezultateve tani është i bllokuar definitivisht nga Serbia. Kushtëzimi i dialogut nuk guxon të lejohet të ndodhë në asnjë rrethanë”, është shprehur presidenti Thaçi.

    Thaçi në konferencë ka folur edhe për liberalizimin e vizave me ç’rast ka theksuar se Kosova është mashtruar nga BE sa i përket kësaj teme.

    “Realiteti i sotëm dëshmon se kriteri i fundit që është thënë se do të jetë për liberalizim ka qenë vetëm një mashtrim. Kancerales Merkel dhe Macronit u kemi thënë se Kosova mbetet vendi më i izoluar padrejtësisht në Evropë nga mungesa e vendimmarrjes së BE-së”, është shprehur Thaçi. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!