×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi për “Der Spiegel”: Jo shkëmbim territorial, shpresoj të kemi rezultatet e para në Samitin e Parisit

    Reporteri
    01 Maj 2019 | 22:38

    Presidenti Hashim Thaçi, në një intervistë për mediumin gjerman “Der Spiegel”, ka folur për Samitin e Berlinit, dhe për nevojën e një konsensusi ndërmjet shteteve të QUINT-it si dhe për idenë e tij të bashkëngjitjes së Preshevës me Kosovën.


    Thaçi ka deklaruar se nuk ka pasur pritshmëri të mëdha për këtë Samit, por e vlerëson lartë nismën dhe përkushtimin personal të kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe shpreson që do të arrijnë rezultatet e para të prekshme në Samitin e Parisit që do të mbahet më 1 korrik.

    “Shpresoj që ne do të arrijmë rezultatet e para të prekshme në Samitin e ardhshëm”, ka deklaruar Thaçi për “Der Spiegel“, transmeton Reporteri.net.

    I pyetur rreth një shkëmbim territorial: pjesa veriore me shumicë serbe t’i takojë Beogradit, dhe Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, e banuar nga shqiptarët, Thaçi ka deklaruar se nuk do të pranojnë ndonjë shkëmbim territorial dhe se ai si president nuk do të lejon ndonjë tregti të tillë.

    “Ne gjithashtu nuk duam që në Kosovë të ketë një Republika Srpska të dytë, dmth. si në Bosnjë, një pjesë të kontrolluar nga Serbia. Kjo mund të ndodhë nëse ne në një farë mënyre i japim veriut një status të veçantë. Kosova është shtet multietnik. Prandaj, nuk do të ketë demarkacione sipas kritereve etnike”, ka deklaruar Thaçi.

    Ndërsa mohon që ideja e shkëmbimit territorial të ketë qenë e tij, shton se dëshiron që zonat e banuara me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapura, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër.

    I pyetur më tej se çfarë koncesionesh është Prishtina e gatshme t’i bëj Serbisë, në veri, Thaçi ka deklaruar “Zero! Pse duhet ta bëjmë këtë? Serbët në veri janë qytetarë të Kosovës me të gjitha të drejtat”.

    Ai më tej thotë se Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Anglia dhe Italia gjithmonë kanë qenë të pajtimit që nuk duhet të ketë ndryshime të kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor.

    “Tani ata si duket nuk flasin më me një zë. Kjo është e keqe. Një marrëveshje e qëndrueshme ka vetëm atëherë bazë të shëndoshë nëse të gjithë edhe SHBA-të qëndrojnë prapa saj. Sepse sot, serbët dhe kosovarët i ndanë një lumë i tërë prej gjaku”, ka deklaruar Thaçi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!