×
  • Lajme
  • Lajme / Media

    Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip largohen nga platforma “Kujtesa” – kabllori “pushtohet” nga kanalet serbe dhe ato turke

    Reporteri
    02 Janar 2024 | 20:16

    Nga 1 janari, sinjali i kanaleve shqiptare Top Channel, TV Klan dhe i atyre të “Digitalb” është ndërprerë së transmetuari, pa asnjë paralajmërim, përmes platformës kabllore në Kosovë, “Kujtesa”, raporton gazeta online Reporteri.net. 

    Në fakt, kanalet pjesa më e madhe e kanaleve të “Digitalb” ka kohë që nuk janë transmetuar në këtë platformë, pa dhënë shpjegim për klientët e tyre, ndonëse kabllori kosovar i promovonte kanalet si pjesë e saj. E edhe pjesa tjetër e kanaleve të platformës më të madhe shqiptare “Digitalb”, sikurse edhe kanalet Top Channel dhe TV Klan nga e hëna nuk janë më të listuara në “Kujtesa”.

    Ndërkohë në platformën “Kujtesa”, derisa dita-ditës po largohen pa paralajmërime kanalet kryesore shqiptare – shumë të ndjekura edhe në Kosovë – përfshirë ato kombëtare si Top Channel e TV Klan, ato kohë pas kohe janë duke u zëvendësuar me kanale serbe dhe turke të cilat janë në numër të konsiderueshëm të listuara në këtë platformë.

    Në kanalet sportive serbe që transmetohen në Kosovë shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët e Banjskës

    Madje, platforma “Kujtesa” e ka pjesë të listës së kanaleve të saj edhe televizionin shtetëror serb, RTS, që njihet si platformë mjaftë aktive në propagandën kundër shtetit të pavarur të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ndërkohë, në shtator të vitit 2023, pak ditë pas agresionit serb në Kosovë përmes rastit të Banjskës, kanalet serbe “Arena Sport” që transmetoheshin edhe nga “Kujtesa”, kishin shfaqur një mesazh kërcënues për vendin.

    “Do të mbajmë mend”, thuhej në spotin e prezantuar nga kanalet serbe që jepeshin edhe në “Kujtesa”, ndërsa po ashtu nuk mungonin as lavdet për terroristët serbë që u vranë në aksionin e Policisë në Banjskë të Zveçanit, pasi grupi i armatosur vrau policin Afrim Bunjaku.

    Në spot shkruhej edhe “Manastiri i Banjskës” dhe data e 24 shtatorit, kur ndodhi rasti. Pas këtij skandali, KPM-ja ndaloi transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë. Por vetëm pak javë pas kanalet u kthyen në “Kujtesa” dhe platforma tjera nën një emër tjetër “Balkan Sport”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë, pasi shfaqën spotin kërcënues në serbisht

    Ndryshe, para më pak se një muaji, “Kujtesa” në treg kishte nxjerrë ofertën e fundit për abonime 1 vjeçare, në të cilat pjesë të platformës “i shiste” edhe kanalet “Digitalb”. Mbetet të shihet nëse kjo platformë do t’iu mundësojë klientëve të saj shkëputjen e kontratave, pas largimit të këtyre kanaleve pak ditë pasi janë abonuar për 1 vit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!