×
  • Lajme
  • Lajme

    Trajkoviç hedh një dyshim – “Bislimi në Luginë e Bërnabiç në Veri, duket si koreografi për shkëmbim territoresh”

    Reporteri
    07 Shtator 2022 | 11:49
    Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç

    Koreografi për të ringjallur idenë e shkëmbimit territorial, ka dyshuar Rada Trajkoviç të ketë qenë vizita e zv/kryeministrit kosovar, Besnik Bislimi, në Luginën e Preshevës dhe kryeministres serbe Ana Bërnabiç në pjesën veriore të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Deklarimin e Kryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi, se i ka thënë Bislimit që zgjidhja do të ishte shkëmbim mes Veriut dhe Luginës, Trajkoviç e ka quajtur “jo të rastësishme”.

    “Druaj se përmendja e idesë (së keqe) të vjetër gjatë vizitës së Bislimit nuk ishte e rastësishme”, shkroi në Twitter, kryetarja e lëvizjes evropiane të serbëve, Rada Trajkoviç.

    “Vizitat e bashkëkohshme të Bërnabiçit në Veri dhe Bislimit në Luginën e Preshevës më duken si të koreografuara për të ringjallur idenë e ‘shkëmbimit’ si një kompromis i ‘kënaqshëm’ për [Aleksandër] Vuçiçin dhe [Albin] Kurtin”, shkroi Trajkoviç.

    Arifi tha se Bislimit ia ka propozuar një gjë të tillë, por se ky i fundit ka heshtur ndaj saj.

    Sa i përket takimit të njëkohshëm në këto dy zona, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha një shpjegim të shtunen e kaluar.

    Kurti tha se delegacioni kosovar kishte kërkuar shumë më herët për të kryer një vizitë në Luginë të Preshevës, ndërsa Serbia si kundërpërgjigje kishte kërkuar një vizitë në Veri.

    Andaj, siç thoshte kryeministri, vizita e Bërnabiç ishte reagim, dhe jo bashkërendim ose reagim nga ana kosovare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!