Mbi 42 milionë euro pasuri pa dokumentacion të mjaftueshëm, pasiguri në vlerësimin e stoqeve në vlerë prej mbi 23 milionë eurosh dhe mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme janë disa nga parregullsitë e evidentuara në raportin e auditimit për ndërmarrjen Trepça për vitin 2025.
Këto të gjetura u diskutuan në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u ngritën shqetësime për saktësinë e pasqyrave financiare dhe përgjegjësinë e menaxhmentit të ndërmarrjes.
Kryetari i Komisionit, Besian Mustafa, gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Trepçës, tha se numri i madh i parregullsive vë në pikëpyetje paraqitjen e drejtë të gjendjes financiare të ndërmarrjes.
Ai theksoi se për një pjesë të konsiderueshme të stoqeve, në vlerë prej 23 milionë e 187 mijë eurosh, nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për metodologjinë e përdorur në përcaktimin e vlerës, duke krijuar pasiguri për saktësinë e tyre.
Mustafa përmendi edhe mbivlerësimin e llogarive të arkëtueshme për 376 mijë e 245 euro, si dhe mungesën e dokumentacionit për pasuri afatgjata në vlerë prej 42 milionë e 755 mijë e 994 eurosh.
“Ndërmarrja nuk ka siguruar regjistrim të plotë dhe të saktë të pasurive afatgjata dhe nuk ka siguruar dokumentacion për pasuri prej 42 milionë e 755 mijë e 994 eurosh. Si pasojë e kësaj, ekziston rreziku që pasuritë dhe rezultatet financiare të jenë materialisht të shtrembëruara, duke ndikuar në paraqitjen e drejtë financiare të ndërmarrjes”, tha Mustafa.
Lidhur me zbatimin e rekomandimeve të auditimit, kryetari i Bordit të Trepçës, Shpëtim Dobra, tha se janë ndërmarrë veprime për adresimin e mangësive të identifikuara, por pranoi se një numër i konsiderueshëm i çështjeve vazhdojnë të mbeten të hapura.
Sipas tij, pesë rekomandime janë zbatuar plotësisht, katër pjesërisht, ndërsa 27 të tjera janë ende në proces të zbatimit. Menaxhmenti ka përcaktuar fundin e vitit 2026 si afat për adresimin e tyre.
Dobra tha se ndër veprimet e ndërmarra janë themelimi i komisioneve, hartimi i procedurave të brendshme dhe përmirësimi i evidencave, por theksoi se nevojitet angazhim më i madh për përfundimin e procesit.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Faton Ahmeti, tha se një pjesë e të gjeturave lidhen me konsolidimin e pasqyrave financiare, proces që, sipas tij, është realizuar për herë të parë në vitin 2024.
Ai shpjegoi se konsolidimi ka nxjerrë në pah probleme që më herët nuk ishin evidentuar në këtë formë, pasi pasqyrat financiare përfshijnë edhe njësitë e ndërmarrjes në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.
Ahmeti tha se nga të gjeturat e reja, katër lidhen me njësinë në Leposaviq. Sipas tij, krahasuar me vitin 2024, ndërmarrja ka shënuar performancë më të mirë dhe rritje të të hyrave.
“Është hera e parë që në vitin 2024 kemi bërë konsolidimin e pasqyrave financiare, që më herët nuk ka ndodhur asnjëherë. Kjo ka qenë problematika që ka bërë të shfaqen të gjeturat në këtë nivel. Ne i kemi të ndara në Mitrovicë të Jugut dhe të Veriut. Në këtë rast, katër të gjetura janë të njësisë sonë në Leposaviq. Nëse e krahasojmë me vitin 2024, kemi performancë më të mirë dhe rritje të të hyrave”, deklaroi Ahmeti.
Deklarimet e kryeshefit ekzekutiv nxitën reagimin e deputetit Eman Rrahmani, i cili kundërshtoi mënyrën se si po prezantoheshin të gjeturat e auditimit.
Rrahmani tha se në Komision duhet të paraqitet gjendja e plotë e ndërmarrjes dhe kërkoi sqarime nëse menaxhmenti ka kontroll dhe mundësi mbikëqyrjeje mbi njësinë në veri.
Në përgjigje, Ahmeti tha se nuk po i mohonte të gjeturat e auditimit, por se ishte i obliguar t’i ndante ato sipas njësive përkatëse, për shkak të procesit të konsolidimit të pasqyrave financiare.
“Nuk po i mohoj të gjeturat. Dhjetë të gjetura i kemi në total, por unë jam i obliguar t’i ndaj për shkak se bëjmë konsolidimin e pasqyrave financiare. I bashkojmë pasqyrat financiare dhe jemi të obliguar ta dimë se cila e gjetur i përket cilës pasqyrë financiare”, tha Ahmeti.